Tërmeti, Gjermania jep 4 milionë euro grant

Gjermania është një nga shtetet e para europiane që shpreh mbështetjen financiare ndaj Shqipërisë për rindërtimin nga tërmeti. Nëpërmjet një njoftimi zyrtar, Ambasadori i Gjermanisë në Tiranë, Peter Zingraf njoftoi se Qeveria Federale do të japë 4 milionë euro grant për rindërtimin e Shqipërisë nga tërmeti.

“Gjermania mbështet rindërtimin me 4 milionë euro. Sot ne informuam zyrtarisht qeverinë shqiptare: Qeveria Federale do të mbështesë rindërtimin pas tërmetit të tmerrshëm të 26 nëntorit me grante në shumën e 4 milionë euro përmes Bankës Gjermane për Zhvillim (KfW). Me të do të rindërtohen shkolla dhe ndërtesa publike në përputhje me standardet më të fundit të sigurisë dhe efiçensës së energjisë”, shkruhet në njoftimin e ambasadës.

Në lidhje me këtë mbështetje, Ambasadori Gjerman në Shqipëri, Z. Peter Zingraf u shpreh: “Gjermania do të ndihmojë Shqiperinë për të rindërtuar shkollat dhe institucionet publike. Ky grant është një nga elementët e mbështetjes Gjermane pas tërmetit të 26 nëntorit i cili traumatizoi shumë shqiptarë dhe shqiptare. Rindërtimi do të shërbejë për rikthimin dalëngadalë në normalitin e jetës së përditshme”, thotë Zingraf.

Ambasadori gjerman: Negociatat, Merkel do i bindë skeptikët

Ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri, Peter Zingraf shpreh bindjen se Kancelaria Angela Merkel do të bindë vendet skeptike, për t`i thënë “Po” Shqipërisë për negociatat. “Vendimi është strategjik dhe politik njëherazi. Shpresojmë që 28 vendet anëtare  të BE  do të bëhen bashkë për një vendim pozitiv. Ka një maxhorancë që është pro hapjes së negociatave. Por gjithsesi na duhet unanimitetit. Prandaj na duhet të bindim ҫdo vend anëtar të BE”.

Në një intervistë për Deutche Welle, Zingraf konfirmoi se për Gjermaninë, hapja e negociatave për Shqipërinë përbën një vendim strategjik. “Për Gjermaninë hapja e negociatave me Shqipërinë për hyrjen në BE përbën një vendim strategjik. Ne jemi të bindur që Shqipëria dhe rajoni kanë një rëndësi strategjike për BE dhe gjeografikisht Shqipëria është brenda BE. Kancelarja Merkel e ka bërë të qartë, se është për “PO” dhe se ajo po bisedon me vendet partnere të BE, p.sh. ka biseduar me kryeministrin holandez Mark Rutte . Jam në dijeni gjithashtu që po zhvillohen bisedime në nivele të ndryshme, qeveritare dhe partiake. Vendet që janë për “PO” po bisedojnë me partnerët që ende nuk kanë vemdosur qëndrimin e tyre. Le të shpresojmë që argumentat strategjike do të mbizotërojnë në fund”, tha Zingraf.

 Ndërkohë, ai shprehet se partitë politike në vend, duhet të ulen për Reformën Zgjedhore, ndërsa shprehet se ajo duhet të jetë miratuar para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2021. “Bundestagu gjerman në rezolutën e tij u bën thirrje aktorëve politikë në Shqipëri, të ulen në tryezën ë bisedimeve dhe të arrijnë një përfshirje maksimale për reformën zgjedhore.  Nga ana tjetër,  mendoj që reforma zgjedhore është një element thelbësor për të kthyer besimin tek procesi. Ndërkohë, siç e thatë edhe ju, ka një element që lidhet me kohën:  ekspertët na kanë thënë që nëse përcaktohet data për zgjedhjet parlamentare të 2021, duhet të jetë miratuar ligji për reformën zgjedhore deri në fund të këtij viti, që ligji të zbatohet para se të vijë dita e zgjedhjeve. Ky është një element i rëndësishëm, për të cilin u është bërë thirrje të dyja palëve”, shprehet Zingraf.

Sipas ambasadorit të Gjermanisë, elementi tjetër ka të bëjë me miratimin e kushteve të Bundestagu gjerman nga Këshilli Europian. Sipas Zingraf, nëse ato miratohen, do të jemi në situatën që disa prej tyre do të duhet të plotësohen përpara Konferencë së parë ndër-qeveritare. “Elementi tjetër ka të bëjë me miratimin e kushteve të Bundestagut Gjerman nga Këshilli Europian . Nëse ato miratohen do të jemi në një situatë që disa prej tyre do të jenë plotësuar pëpara Konferencës së parë ndër-qeveritare për negociatat e pranimit. Pra do të jetë në interes të dyfishtë për shqiptarët që të arrijnë të zhvillojnë zgjedhje të mira dhe të mos shtyjnë në kohë konferencën e sipërpërmendur, dhe duke pasur të kryer paketën e parë për reformën zgjedhore”, shprehet Zingraf.

Ai gjithashtu thekson se për miratimin e Reformës Zgjedhore, duhet bashkëpunim i mirë mes mazhorancës dhe opozitës parlamentare. “Që kjo të ndodhë duhen votat e maxhorancësë por edhe të opozitës parlamentare. Ne i kemi bërë thirrje dy palëve të kenë maksimumin e gjithëpërfshirjes për të pasur besueshmëri dhe që produkti i reformës të ketë kredibilitet. Në fakt kjo është një detyrë për qeverinë dhe opozitën brenda dhe jashtë parlamentit.  Shpresojmë që kjo e fundit do të rikthehet në Parlament . Por ligji për reformën zgjedhore mund të bëhet pa pjesëmarjen e opozitës jashtë parlamentare. Ligjërisht kjo është e mundur  por natyrisht, siç ju thashë më parë, do të ishte shumë më mirë të ketë një mbështetje maksimale, për këtë reformë. Gjithsesi,  ajo mund të bëhet nga parlamenti egzistues. Le të të shohim sesi  palët mund të bëhen bashkë”, tha ndër të tjera Zingraf.

“Zgjedhorja”, Gjermania: Presim rezultate konkrete

Thyerja e bojkotit nga opozita është mirëpritur nga ndërkombëtaret të cilët, kanë përshëndetur vendimin e saj për të qenë pjesë e tryezës së dialogut për reformën zgjedhore. Pas SHBA, edhe Gjermania ka përshëndetur gjithë-përfshirjen në këtë tryezë. Ambasadori gjerman në Shqipëri, Peter Zingraf ka vlerësuar pjesëmarrjen e gjerë në tryezën e dialogut për reformën zgjedhore të organizuar nga OSBE. Zingraf tha se kjo tryezë gjithëpërfshirëse hodhi hapin e parë dhe të duhur nga palët politike, ndërsa pret që të shohë rezultatet konkret nga ajo.

Sipas ambasadorit Zingraf pasja e rezultateve konkret për Reformën Zgjedhore do të jetë një bazë e sigurt për procesin e afrimit të Shqipërisë me BE.

Tryeza e parë për reformën zgjedhore është një hap në drejtimin e duhur. Tryeza e sotme e organizuar nga OSBE dhe Kuvendi i Shqipërisë është një hap i parë i rëndësishëm i një dialogu gjithë-përfshirës dhe bipartizan, për t’i dhënë reformës zgjedhore një shtysë të re. Unë përshëndes faktin, që përfaqësues të qeverisë, të opozitës parlamentare dhe asaj jashtëparlamentare, përfaqësues të shoqërisë civile dhe ekspertë ulen në një tavolinë dhe këshillohen për zbatimin e rekomandimeve të ODIHR-it. Kjo tregon gatishmërinë, për të marrë përgjegjësi për të ardhmen e Shqipërisë. Për sa i përket ecurisë së mëtejshme të procesit të afrimit të Shqipërisë me BE-në, do të jetë thelbësore të zhvillohet një dialog me rezultate konkrete për kodin zgjedhor. Gjermania mbetet e gatshme të shoqërojë këtë proces duke ofruar mbështetjen e saj” shkruan Zingraf në përfundim të tryezës së dialogut për Reformën Zgjedhore.

Nisja e konferencës për tryezën e dialogut gjithëpërfshirës për Reformën Zgjedhore u përshëndet edhe nga SHBA-të duke vlerësuar vendimin e opozitës joparlamentare për të qenë pjesë e saj. SHBA theksoi se ky vendim i Bashës për t’i thënë “po” tryezës së dialogut për reformën zgjedhore tregon udhëheqësi dhe forcimin e demokracisë në vend.

Skip to toolbar