Tragjedi në Kurbin/ Zjarri shkrumbon banesën, humb jetën fëmija 2-vjeçar

Një banesë është shkrumbuar nga zjarri në fshatin Sanxhak të Kurbinit të premten pasdite. Mësohet se në banesën e përfshirë nga flakët, ndodhej një fëmijë i mitur 2-vjeçar.

Sipas informacioneve paraprake, fëmija është asfiksuar nga tymi. Ai është dërguar me urgjencë drejt spitalit për të marrë ndihmë mjekësore. Por, i mituri nuk arriti të mbijetonte.

Ndërkohë, në vendin e ngjarjes shkuan forcat zjarrfikëse, të cilat punuan për shuarjen e zjarrit. Ende nuk dihen shkaqet e rënies së zjarrit, që la pas jo vetëm banesën e shkrumbuar por edhe një viktimë. Policia po punon për zbardhejn e rrethanave të ngjarës.

“Depozita mbante 2000 litra gaz”, Goxhaj tregon shkaqet e zjarrit te karburanti

Një depozitë gazi në një pikë karburanti u përfshi nga flakët të enjten në mbrëmje në zonën e Kombinatit. Flakët ishin të mëdha dhe për momente të tëra nxitën panik te qytetarët. Megjithatë, ndërhyrja në kohë e forcave zjarrfikëse bëri që flakët të neutralizoheshin deri në shuarjen totale të tyre.

Kjo shmangu edhe shpërthimin e depozitës së gazit, që mbante një sasi deri në 2000 litra. Ndërkohë, pas shuarjes së flakëve, Drejtori i Shërbimit Zjarrfikës në Tiranë, Shkëlqim Goxhaj, dyshohet se shkak i rënies së flakëve ka qenë përplasja e një mjeti motorik me tubat e gazit. Megjithatë, duke mos komentuar më tepër shkaqet e rënies së zjarrit, Goxhaj e quajti sukses fikjen në kohë të zjarrit.

“Ka patur rrjedhje gazi, bombola mban 2000 litra nuk dimë se sa ishte gjendja aktuale. Karburanti nuk është dëmtuar. Do të flas për mënyrën e fikjes së zjarrit. Është bërë në mënyrë të përsosur. Nuk kemi patur shpërthim ka pasur vetëm flakë. Ka qenë shumë e vështirë. Fikja me sukses e këtij zjarri është sukses i sotëm. Kemi informacion që një motor ka kaluar mbi të, ky është edhe shkaku i rrjedhjes së gazit”, tha  Shkëlqim Goxhaj.

Vazhdojnë përpjekjet kundër zjarreve në Kaliforni

Autoritetet kanë anuluar urdhërat e evakuimit në disa komunitete fermere ndërsa zjarrëfikësit bënë përparime në shuarjen e një zjarri në pjesën jugore të Kalifornisë. Zjarri Maria ka shkatërruar pothuajse 40 kilometra katërorë sipërfaqe ndërsa kërcënohen më shumë se 2 mijë e 500 shtëpi dhe ndërtesa të tjera.

“Mund të shihen flakët ndërsa gjatë natës zjarret duken si skëterrë. Shikon vetëm zjarr dhe tym. Përpiqesh të dallosh sa larg ndodhesh dhe ndjenja e perceptimit të distancës ndryshon”, thotë John Grether pronar i një ferme me avokado dhe agrume.

John Grether thotë se ka humbur rreth 10 hektarë me pemë avokadoje.

“Kjo kokërr avokado është djegur nga jashtë. E ndava në mes dhe mund të shihet se sa është dëmtuar brenda. Këto fruta do të bien nga pemët dhe përfundimisht nuk mund të shiten.”

Zyrtarët thonë se zjarri Maria filloi të enjten në një kodër në veriperëndim të qytetit Los Angeles, dhe thuhet se shkëndijat e krijuara nga rrjeti elektrik mund të kenë qënë shkaktari.

Edhe zjarre të tjera janë shkaktuar nga shkëndijat e dala nga rrjeti elektrik si pasojë e përplasjes së telave nga erërat e forta.

Kompania e shpërndarjes së energjisë në Kaliforninë Jugore tha se kishte aktivizuar linjën e tensionit të lartë prej 16 mijë voltësh rreth 15 minuta para se të shkaktohej zjarri. Kompania tha se do të bashkëpunonte me organet hetuese./VOA/

Tentojnë të djegin shkurret, zjarri rrezikon banesat në Berat

Zjarret vijojnë të shndërrohen në makth për qytetarët në vendin tonë. Pasditen e të shtunës, një zjarr ka rënë në lagjen “Çrlepia” në Berat, në vendin e quajtur “Rezervat e Shtetit”. Mësohet se zjarri ka rënë pranë disa banesave, të cilat janë të ndërtuara në një sipërfaqe ku ka shkurre dhe ullinj.

Mësohet se zjarri është vendosur për të djegur një sipërfae me shkurre, por situata ka dalë jashtë kontrollit  për shkak të erës. Në këto kushte banorët e kësaj zone kanë shfaqur panik, pasi banesat e tyre rrezikoheshin të përfshiheshin nga flakët.

Kështu, banorët kanë njoftuar repartin zjarrfikës të Beratit i cili ka shkuar në vendin e ngjarjes. Me ndërhyrjen e zjarrfikësve, është bërë i mundur neutralizimi i flakëve dhe më pas shuarja e tyre. Gjithashtu, në vendin ku ka rënë zjarri kanë shkuar dhe efektivë të policisë.

Raporti, 280 vatra zjarri në 4 qarqe të vendit, të gjitha të qëllimshme

280 vatra zjarri që kanë shkaktuar djegien e qindrave hektarëve pyje kryesisht në qarkun e Elbasanit, Shkodrës, Dibrës dhe Vlorës.

Zjarrvënia raportohet që në të gjitha rastet të jetë venë nga dora e njeriut, ku në disa raste ka qenë e qëllimshme dhe në disa të tjera nga pakujdesia e djegies së kullotave dhe hedhja e cigareve.

Sipas raportit të Emergjencave Civile, të zbardhur nga Report TV, rezulton se qarku i Elbasan kryeson me 49 vatra zjarri, Shkodra me 42 vatra zjarri, ndjekur nga Dibra me 39 vatra zjarri. Qarku i Vlorës ka pasur 28 vatra zjarresh ku situata më kritike në zonën e Delvinës, ku u dogjën 218 hektarë pyje e kullota.

Përgjatë gushtit në dy vatrat e zjarrit si Shëngjin dhe Delvinë është kërkuar ndihmë edhe nga fqinjët, Mali i Zi dhe Greqisë, për të ndërhyrë nga ajri.

Zjarri në Shëngjin, reagon Xhaçka: Në terren ushtria, s`ka rrezik për banesat

Situata e rënduar nga zjarret në vendin tonë, ka bërë që të dalin në terren Forcat e Armatosura. Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, ka reguar detaje nga operacioni që po zhvillohet në kodrën e Shëngjinit, ku prej dy ditësh ka rënë një zjarr i përmasave të mëdha. Xhaçka shkruan se flakët janë duke u mbajtur nën kontroll, ndërsa thekson se deri tani nuk rrezikohet asnjë banesë.

“Kontribut i përbashkët i trupave dhe mjeteve të MZSH, pushtetit vendor, Forcave të Armatosura dhe banorëve për mbajtjen nën kontroll të zjarrit të rënë në kurorën e gjelbër të Shëngjinit. Asnjë banesë e rrezikuar, ndërkohë që, prej dy ditësh e netësh, FA me mjete e trupa nga Tirana e Shkodra dhe bashkia Lezhë janë në terren dhe do të jenë aty deri në shuarjen e plotë të flakëve”, shkruan Xhaçka.

Për shuarjen e zjarrit në Shëngjin mësohet të jenë bashkuar rreth 200 trupa të ushtrisë, forcave zjarrfikëse dhe shërbimeve të tjera të pushtetit vendor dhe atij qendror. Ndërkohë, më herët gjatë të premtes, Bashkia e Tiranës i shkoi në ndihmë Bashkisë së Lezhës, për të ndihmuar në shuarjen e zjarrit në Shëngjin.

Kontribut i përbashkët i trupave dhe mjeteve të MZSH, pushtetit vendor, Forcave të Armatosura dhe banorëve për mbajtjen…

Gepostet von Olta Xhacka am Freitag, 23. August 2019

Pyje e ullinj shkrumbohen nga zjarri në Cërrik e Roskovec

Disa hektarë pyll në fshatin Shtepanjë në Cërrik janë shkrumbuar nga një zjarr masiv, që ka rënë në një sipërfaqe pyjore të premten gjatë mesditës.  Flakët e zjarrit, veç rreth 10 hektrë pyje, kanë djegur dhe një sipërfaqe me rreth 2 dynym ullishte. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar zjarrfikësit nga Elbasani dhe Gramshi, të cilët kanë punuar për disa orë për të shuar flakët.

Era dhe temperaturat e larta e kanë vështirësuar punën e zjarrfikësve për shuarjen e flakëve. Nuk dihet ende shkaku i rënies së flakëve të zjarrit në këtë sipërfaqe pyjore. Po gjatë ditës së premte, edhe në Roskovec një zonë e mbjellë me ullinj të përfshihet nga zjari. Sipas raportimeve mësohet se flakët kanë djegur plotësisht disa drurë ullinjsh, duke shkaktuar dëme për fermerët e zonës.

Flakët e zjarrit, veç sipërfaqen me ullinj, kanë rrezikuar të djegin dhe një biznes privat në zonën ku është lokalizuar zjarri. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar zjarrfikësit nga Patosi dhe banorë të zonës, të cilët kanë bërë të mundur shuarjen e flakëve.

As për rastin në fjalë, nuk ka autor apo të dhëna mbi shkaqet e shkaktimit të zjarrit. Gjatë të premtes në të gjithë vendin janë lokalizuar disa vatra zjarri, të cilat kanë krijuar panik, ku më shqetësues ka qenë zjarri i rënë gjatë ditës së premte në Shëngjin.

Zjarret në Amazonë zhysin Brazilin në errësirë në mes të ditës

Qyteti i San Paulos në Brazil ka kaluar një moment aspak të zakonshëm, kur papritur qielli i saj u errësua dhe në mes të ditës u bë natë. Kjo ndodhi si pasojë e reve të dendura të tymit të zi që vinte nga zjarret e rëna në pyllin e Amazonës. Flakët e mëdha në pyjet e Amazonës kanë shënuar një numër rekord këtë vit, plot 72.843 vatra zjarri duke u rritur me 83% në krahasim me 2018. Reja e dendur bllokoi dritën e diellit duke krijuar “natë” në qytet për të patën 1 orë deri sa u shpërndanë sërish.

Tymi erdhi si pasojë e erërave të forta duke udhëtuar 2700 km larg vatrave të zjarrit në Amazonë. Zjarret në Amazonë, e konsideruar edhe si mushkëria e botës, filluan me qëllim për të shpyllëzuar tokat në mënyrë të paligjshme për bagëtitë.

Zjarri shkrumbon kampin e punëtorëve dhe zdrukthtarinë në Konispol

Flakët e zjarrit kanë shkrumbuar një zdrukthtari dhe dy godina të tjera në Konispol. Gjatë orëve të mbrëmjes të së enjtes, në fshatin Mursi të Konispolit, një magazinë zdrukthëtarie është përfshirë nga zjarri.

Dyshohet se shkak i rënies së zjarrit të ketë qenë një shkëndijë elektrike. I ndihmuar nga kushtetet atmosferike por dhe lënda drusore, zjarri është përhapur me shpejtësi duke djegurë tërësisht zdrukthtarinë.

Më pas, flakët kanë djegur dhe dy magazina të tjerëa, të cilat shërbenin si depo fjetjeje për punonjësit e një biznesi. Fatmirësisht nuk raportohet të ketë dëme në njerëz, vetëm materiale.

Në vendin e  ngjarjes për shuarjen e flakëve kanë shkuar tre mjete zjarrfikëse, të cilat janë përballur me një situatë të vështirë. Kjo pasi zjarri rrezikonte edhe disa banesa të fshatit Mursi, që ndodheshin pranë vatrës së flakëve. Megjithatë, zjarrfikësit kanë bërë të mundur neutralizimin e flakëve dhe më pas shuarjen e tyre.

Një sipërfaqe me ullinj e shkurre digjet nga zjarri në Patos

Flakët e zjarrit kanë djegur një sipërfaqe të konsiderueshme me ullinj dhe shkurre në fshatin Siqecë të Patosit.  Zjarri ka rënë gjatë mesditës të së mërkurës, teksa ende nuk dihet nëse është shkaktuar nga temperaturat e larta apo ka qenë i qëllimshëm.

Megjithatë, pasi është vënë re prania e zjarrit në një sipërfaqe me ullinj në fshatin Siqecë, banorët e zonës kanë lajmëruar zjarrfikëset. Ndërhyrja e tyre ka qenë vendimtare për të neutralizuar dhe shuar flakët, të cilat kanë djegur disa bimë ulliri dhe një sipërfaqe me shkurre.

Zjarri ka krijuar panik për banorët e këtij fshati, pasi flakët kanë qenë afër zonës së banuar. Ditët e fundit në shumë zona të vendit janë regjistruar disa vatra zjarri, të cilat kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në sipërfaqe pyjore dhe kultura bujqësore. Fatmirësisht, zjarret nuk kanë shkaktuar dëme në banesa apo jetë njerëzish.

Skip to toolbar