“Talenti i sezonit”, Esat Mala merr çmimin e rëndësishëm në Superligë

SPORT


Esat Mala është përzgjedhur nga shoqata “Sporti na Bashkon” si “Talenti i sezonit 2018/19”. Lajmin e ka dhënë klubi i kuq, me anë të një komunikate zyrtare shpërndarë në rrjetet sociale. Partizani shkruan se Esat Mala është shpallur fitues i anketës tradicionale të zhvilluar nga shoqata “Sporti na Bashkon”, në edicionin e 11 të saj.

Mala ka marrë shumicën e votave nga juritë e përbëra nga trajnerët dhe fazetarët sportiv, duke fituar kështu edhe çmimin që jepet nga kjo shoqatë. Mala është mesfushor i Partizanit dhe kombëtares U-21, dhe shihet si një nga lojtarët premtues të kampionatit tonë. 

Ceremonia e rastit është organizuar në ambientet e klubit të futbollit Partizani. Çmimi Esat Malas i është dorëzuar nga drejtori ekzekutiv i shoqatës “Sporti na Bashkon” Gëzim Nushi. Së fundi Esat Mala u aktivizua në të dyja ndeshjet që Partizani luajti në Champions League ndaj Qarabag.

Vlera e kartonit të mesfushorit të talentuar është rritur duke kapur vlerën e 425 mijë eurove, sipas transfermarkt. Kjo e bën lojtarin 20 vjeçar një nga tre lojtarët më të shtrenjtë të Partizanit dhe një nga tetë futbollistët me vlerën më të lartë të transferimit në Superligë. Nëse Mala do të vijojë të luajë ende në Europa League dhe do të ketë paraqitje të mira, vlera e kartonit të mesfushorit, mund të pësojë rritje të mëtejshme.



Skip to toolbar