Nga Gjykata Penale, ku ishte i pranishëm në gjyqin e hapur nga Shkëlzen Berisha për dosjen “ÇEZ”, Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka konfirmuar edhe njëherë se nuk do të ketë shtyrje të datës së zgjedhjeve lokale. Balla u shpreh se data e zgjedhjeve vendoset nga qytetarët shqiptarë nëpërmjet Kushtetutës.
“Zgjedhjet e 30 qershorit janë një moment i rëndësishëm për funksionimin e shtetit ligjor në Shqipëri. Data e zgjedhjeve është një datë që përcaktohet nga populli përmes Kushtetutës. Më 30 qershor fiton Shqipëria dhe shqiptarët, dhe pas 30 qershorit është një mundësi e artë që PD të reflektojë në funksion të dy aspekteve; kush politikan punon kundër Reformës në Drejtësi, këtë betejë e ka të humbur; dhe kush politikan punon kundër integrimit të Shqipërisë në BE, edhe këtë betejë e ka të humbur, pasi vitit 2019 do të jetë viti i negociatave”, tha ndër të tjera Taulant Balla.
Lidhur me akuzat e “Shpifjes” ngritur ndaj tij nga djali i ish-Kryeministrit Sali Berisha, Taulant Balla u shpreh se dosja “ÇEZ” është një nga aferat që i ka kushtuar rreth 450 milionë euro Shqipërisë. Balla tha se me institucionet e reja, që do të dalin nga Reforma në Drejtësi, do të hetohen të gjitha dosjet e vjetra të korrupsionit, përfshi dhe dosjen në fjalë.
“Asnjë dosje korruptive e gjithë këtyre viteve nuk do të mbetet pa u hetuar. Lufta kundër korrupsionit dhe beteja kundër politikanëve të korruptuar nuk mbaron asnjëherë. Prokuroria e re që po lind nga Reforma në Drejtësi, duhet t`i rimarri një e nga një këto dosje. Dosja “ÇEZ” i ka kushtuar shqiptarëve më shumë se 450 milionë euro”.
“Dua t`ju them, se sot më shumë se kurrë është e qartë se në asnjë rast, politikanët që përpiqen çdo ditë të pengojnë Reformën në Drejtësi, ta kenë të qartë se ajo është në rrugë pa kthim. Shkëlzen Berisha është rasti kur njerëzit në pushtet janë pastruar”, tha ndër të tjera Balla.
Ndërkohë, lidhur me gjyqin e hapur nga Shkëlzen Berisha kundër Taulant Ballës, në datën 12 qershor pritet që Prokuroria të dalë me një vendim. Gjatë seancës së sotme gjyqësore, Taulant Balla ka kërkuar pafajësi për akuzat e ngritura nga Shkëlzen Berisha.