Kandidimi i Fredi Belerit për eurodeputet nga partia Neo Demokracia është një çështje që i takon Greqisë. Është kjo ajo çfarë komenton prefekti i qarkut të Vlorës, Vangjel Tavo lidhur me këtë kandidim. Por, sipas tij në kushtet e vështira ku edhe ndodhet vetë Neo Demokracia, duket si një përpjekje e tyre për të tërhequr ekstremin e djathtë.
“Nuk kam asnjë koment. Është çështje e partisë së Mitsotakis, kjo s’ka lidhje me prefektin e Vlorës dhe qeverinë shqiptare. Neo Demokracia ka zgjedhur Belerin, mendoj se shfrytëzojnë këtë moment të vështirë elektoral për të afruar rreth vetes sa më shumë pjesë të ekstremit të djathtë, që mesa unë kam parë ishin larguar. Është çështje e partive greke dhe s’ka lidhje fare me sistemin tonë”, u shpreh Tavo.
Tavo është ndalur edhe tek sezoni turistik. Duke prekur çështjen dhe problematiken e zjarreve si dhe mungesën e logjistikës, një problematikë e sjell nga vetë zjarrfikësit. Një problematikë që sipas tij pritet të marrë zgjidhje, ndërsa është kërkuar nga të gjitha institucionet dhe të merren masa konkrete për menaxhimin e zjarreve gjate sezonit turistik. Është kërkuar nga disa bashki për blerje mjetesh ndërsa qeveria ka tashmë një plan masash për zjarret, por që pritet të marrë zgjidhje vitin që vjen.
“Vlora është mbretëresha e turizmit shqiptar, treguar kjo ndër vite, ku numri i turistëve çdo vit ka ardhur duke u rritur dhe këtë sezon pritet që ky numër të jetë i shumëfishuar krahasuar me vitet e mëparshme, por edhe në krahasim me 2023 kur ka qenë një boom turistik. Unë kam zhvilluar disa takime me faktorët dhe aktorët që luajnë rol në menaxhimin e sezonit turistik për qarkun e Vlorës.
Takim me Komitetin e Emergjencave civile në lidhje me menaxhimin e situatave të ndryshme për mbarëvajtjen e sezonit turistik. Kemi diskutuar për shumë çështje, por theksoj zjarret që në sezonin veror ka qenë problematikë në Vlorë, ku numri i zjarreve në 3 vitet e fundit ka qenë më i shtuar. Komiteti i Emergjencave ka shprehur gatishmërinë për të kryer detyrat siç e përcakton ligji, në mënyrë që zjarret të mos bëjnë më probleme si vitet e mëparshme dhe për të menaxhuar situatat e zjarreve në mënyrë që edhe turistët të mos ndihen të rrezikuar gjatë sezonit turistik”, tha Tavo.
Referuar edhe problematikës së pronave, kryesisht ne bregdet dhe Himarë, Tavo ka theksuar se janë zhvilluar disa takime ndërsa është kërkuar nga bashkia e Himarës apo edhe e Vlorës, në bashkëpunim me ASHK, vendosja e një personi për të asistuar çdo qytetar që ka problematike me pronat. Por sipas Tavos, në muajin maj pritet të ketë rezultate konkrete referuar pronave.