Të drejtat e minoriteteve, Dule, akuza politikës dhe medias

AKTUALITET


Kreu i PDBNJ-së, Vangjel Dule ka sulmuar si politikën, ku ai bën pjesë prej shumë vitesh, aleat si me të majtën ashtu dhe me të djathtën, por edhe median duke deklaruar se hesht dhe nuk raporton problemet që lidhen me minoritetin dhe mos respektimin e të drejtave të tij.

Në një tryezë të organizuar të shtunën për respektimin e të drejtave të minoriteteve, Dule deklaroi se respektimi i të drejtave të minoritetit vijon të jetë një sfidë e pa përmbushur në Shqipëri.

“Garantimi i të drejtave të njeriut dhe i të drejtave të minoriteteve në hapësirën e Europës së sotme garantohet nga konventat. Strumbullari është konventa kuadër e Këshillit të Evropës për mbrojtjen e pjesëtarëve të minoriteteve etnike. Ky dokument është ratifikuar nga vendi ynë në vitin 1999. Plot 21 vite.

Ky është dokument kuadër dhe kërkon sanksionimin e aspekteve ligjore që ta bëjë të zbatueshëm. Prej vitesh kjo ka qenë kërkesa jonë.

A mund të ecet ende me standarde të dyfishta? A mund të mendojmë se jemi luajalë ndaj frymës së konventave më frymën qeverisëse? Në asnjë rast nuk mund të ndodhë. Nuk mund të jemi në rolin e strucit modern duke futur kokën në rërë e duke bërë sikur të tjerët nuk e shohin realitetin tonë. Asnjë forcë politike, asnjë institucion. Mediat heshtin. Kur është ndonjë raport tjetër ndërkombëtar për fenomene të tjera politike vrapojnë, kur bëhet fjalë për raporte për shkeljet e të drejtave të minoriteteve, heshtin”, deklaroi Dule duke sulmuar edhe media.

Ai tha më tej se nuk mund të ketë integrim pa respektimin e të drejtave të minoriteteve.

“Jemi një vend që aspirojmë të jemi si të barabartë në familjen europiane. A mund të ndodhë kjo pa u europianizuar. Integrimi në BE do të thotë europianizim i vazhdueshëm në çdo fushë të jetës.

Beteja jonë është një betejë komplekse, e vështirë. Ndërlikimi i situatës politike si aktualisht e bën dhe më të vështirë. Ne kemi aleatë kohën dhe durimin tonë. Respektimi i të drejtave të minoriteteve do të bëhet realitet se rrugë tjetër nuk ka”, theksoi kreu i PBDNJ.



Skip to toolbar