“Të hënën Serbia do dërgojë para”. Vuçiç: Do jetojmë në paqe apo në konflikt…?!

AKTUALITET


Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç tha që në krye të fjalës së tij në konferencën e përbashkët për shtyp të liderëve të rajonit të nismës së Mini-Shengenit, se ditën e hënë qeveria e Serbisë do të miratojë fondin me para për t’i ardhur në ndihmë Shqipërisë për të rindërtuar vendin pas dëmeve të shkaktuara nga tërmeti. Më tej Vuçiç është ndalur tek ajo çfarë përfitojnë qytetarët e shteteve të Rajonit nga kjo nismë ndërsa ngriti një sërë pyetjesh referuar edhe polemikave dhe debateve për praninë e Serbisë dhe mungesën e Kosovës. Ai tha se kjo nismë synon në bashkëpunimin mes vendeve, krijimin e një tregu të madh që synon të thithë investitorët e huaj dhe që krijon më shumë mundësi punësimi për të gjithë qytetarët e rajonit. Ai tha se kjo nismë synon paqen dhe jo konfliktin.

 “Shpreh ngushëllimet e mia për të gjithë personat e familjeve që vdiqën në tërmetin e tmerrshëm që goditi Shqipërinë. Unë besoj se gjithë njerëzit në vendin tuaj e kuptuan simpatinë tonë, se ne bëmë gjithçka. Falënderoj Ramën që na çoi sot në Durrës, ku pamë ata fëmijë të mrekullueshëm që kishin humbur familjarët, dhe them që qeveria e Serbisë do të marrë një vendim të hënën për të ndihmuar me një vlerë parash Shqipërinë, por edhe me donatorët më të mëdhenj. Diskutimet që kemi zhvilluar ishin në funksion të intensifikimi të marrëveshjeve tona.

Njësitë tona të emergjencës do të bashkëpunojnë më ngushtë në të ardhmen, në mënyrë që kur një tragjedi të godasë ndonjëherë njërin nga vendet tona, të njëjtat forca do të jenë në vendin përkatës në të njëjtën kohë. Pra, do të jenë në dispozicion të njëri-tjetrit.

Më duket se kemi marrë vendime të rëndësishme, që kanë rëndësi për gjithë rajonin. Ne do vijojmë të ndërtojmë jo vetëm inspektimet tona, shërbime 24 orë në dogana, më shumë lehtësira në pikat kufitare. Kamionët të mos rrinë më shumë se 6 orë në kufi, pra të përpiqemi të zbatojmë marrëveshjen e operatorëve të autorizuar. Kjo do të ulë kostot operative dhe do përmirësojë standardet e njerëzve tanë.

Ne do të përpiqemi të krijojmë një treg të përbashkët pune, që nënkupton një nivel më të lartë tërheqjeje për investitorët e huaj. Do jetë e mundur që ata thjeshtë të aplikojnë dhe të marrin leje të përhershme pune në Shqipëri, Serbi, Mal të Zi e Maqedoni”, tha Vuçiç.

“Po të mos i bëjmë tregjet tona më të mëdha, qytetarët tanë do të largohen nga vendet tona. Si do t’i mbajmë këto qytetarë duke krijuar atmosferë konflikti dhe lufte? Përse duhet të mbrohemi se po përpiqemi të bëjmë gjëra të mira për vendet tona? Duam të punojmë dhe jetojmë me njëri-tjetrin, apo duam të luftojmë me njëri-tjetrin? Mbrëmë në koncert u kënaqa shumë por edhe u trishtova. Unë mësova shumë për kulturën shqiptare. Ç’të keqe ka ky bashkëpunim me njerëzit tanë? Serbia do të ofrojë shtëpi për 100 familje shqiptare. Ne do ushqejmë shumë familje serbe, shqiptare e maqedonase nga kjo nismë, pse duhet të kemi turp?”, shtoi ai i emocionuar.



Skip to toolbar