“Ata kanë ngrënë bashkë”, Rama: Unë binda Serbinë të ulej pa kushte me Kosovën

AKTUALITET


Kryeministri Rama thotë se prej vitesh “udhëheqësit  e Kosovës kanë ngrënë e kanë pirë me palën serbe”, ndërsa tani refuzojnë që të marrin pjesë në tryezën e Mini-Shengenit, ndërsa vë theksin në arritjen e tij që është bindja e Serbisë që të ulej pa kushte në të njejtën tryezë me Kosovën. Kjo gjë është refuzuar deri më sot nga Serbia, pavarësisht përpjekjeve të bëra nga SHBA dhe BE. Rama gjithashtu kritikon politikanët e Kosovës që e kanë kthyer refuzimin e dialogut me Serbinë në një garë të brendshme politike që ka synim vetëm votat.

“Udhëheqësit  e Kosovës kanë ngrënë e kanë pirë me palën serbe dhe kanë bërë shumë mirë. Kjo nuk do të thotë se kanë hequr dorë nga pavarësia, por kjo do të thotë se kanë qenë të ulur aty sepse jetojmë në një botë të ndërlidhur. Kosova është pjellë e luftës së populli të saj, por edhe e luftës së SHBA dhe shumë prej vendeve të BE. Ndërkohë që SHBA dhe BE janë sot këtu në tryezë së bashku me të gjithë të pranishmit, Kosova mungon. Nuk mungon se i është vënë një kusht, apo se nuk është ftuar, por mungon sepse ka hyrë në një rrugë qorre, në një rrugë pa rrugë. Prej disa kohësh po humb  respekt dhe mbështetje.


Unë arrita atë që deri dje Serbia nuk e ka pranuar, që të ulet në një tavolinë pa kushte pa Kosovën dhe që Shqipëria dhe Kosova të hapin kufirin.

SHBA i kërkon Kosovës të mos braktisë dialogun. Mos vallë BE dhe SHBA i ka mbyllur sytë ndaj krimeve të së shkuarës? Unë nuk  e mendoj këtë. Mua më rezulton se të gjithë janë në një mendje që Serbia do të njohë Kosovën. Çfarë do të thoni nesër kur Kosova të ulet në tryezë, që harroi krimet?!

Uroj që Kosova të dalë nga një rreth vicioz që nuk i bën mirë.

Kosova nuk ka nevojë për një garë të brendshme se kush refuzon më shumë dialogun. Kosova duhet të qëndrojë fort afër Shqipërisë dhe miqve të vet SHBA dhe BE dhe të mos kthejë vizionin e të ardhmes në një luftë politike të ditës”, tha Rama.

Autoritetet e Kosovës kanë refuzuar 3 tryeza të zhvilluara deri tani të Mini-Shengenit Ballkanik.




Skip to toolbar