Telefonata e fundit e Andi Malokut: O babi na gjuajtën, jam plagosur

AKTUALITET


Shoferi i prokurorit Arian Ndoja, 24-vjeçari Andi Maloku ishte i vetmi që ndërroi jetë si pasojë e atentatit me breshëri plumbash ndaj prokurorit. Menjëherë pas atentatit shoferi Maloku i ka telefonuar babait të tij duke i thënë se është qëlluar dhe është plagosur. Bisedën e ka zbardhur xhaxhai i tij Bashkim Maloku, i cili tregon detaje dhe shpreh keqardhjen se pse policia nuk i la familjarët ta takonin në spital fill pas atentatit. Ai gjithashtu thotë se Andi Maloku kishte vetëm 2 muaj që punonte për Arian Ndojën, ndërsa sqaron se ata nuk kanë asnjë lidhje tjetër me prokurorin apo njohje të mëparshme.

“Nuk e njohim prokurorin. Edhe pse në media qarkullonte se kishin njihje të mëparshme. Prokurori është nga zona e Veriut ne nga Shijaku nuk kishim lidhje fare me të. Thjesht shkoi për punë, kishte dëshirë të bënte atë punë. Nuk ka asnjë precedent penal.

Kur ndodhi atentati ne e morëm vesh përmes djalit. Andi kishte folur me të atin në telefon dhe i kishte thënë “o babi na gjuajtën, jam plagosur”. Ky ishte komunikimi dhe më pas na lajmëruan që të shkonim te spitali se i kanë gjuajtur djalit. Ne nuk ishim në dijeni se për çfarë bëhej fjalë, a i kanë gjuajtur me armë, a ka bërë aksident nuk e dinim fare.

Andi nuk ka punuar asnjëherë efektiv policie, por media ka trilluar dhe me moshën ku thanë se ishte 34 vjeç. Që në moshën 16-vjeçare ka punuar kamerier, ndërkohë që ishte dhe në shkollë. Më pas ka mbaruar studimet për Menaxhim Turizëm dhe ka rreth dy muaj që kishte vazhduar punë me prokurorin si shofer i tij. Nuk kishte lidhje familjare me prokurorin. Na bënë padrejtësi pasi, ditën kur ndodhi atentati nuk na lanë ta shikonim djalin, por na rrethuan me policë te spitali i Traumës.

Nuk na la asnjë që të shohim djalin, madje as prindërit e tij nuk i lënë që të hyjnë të shohin djalin. Ndërsa të nesërmen, një ditë pas atentatit, nuk kishte asnjë polic. Ishte fasadë. Dhe së fundmi, kur vdiq djali, e çuan në morg. Ndërsa morgun e rrethuan me policë. Nuk na lanë as për ta qarë në orët e fundit”, është shprehur Bashkim Maloku për gazetën Shekulli.

Ai tha se Andi Maloku ndërroi jetë në spital pasi i ra trombozë e pjesshme, nga ana e mushkërisë për shkak se plumbat kishin prekur të dy pjesët e mushkërisë.



Skip to toolbar