Një tjetër tërmet i fortë ka tronditur Tiranën mbrëmjen e të dielës, rreth orës 22:08 minuta. Tërmeti ka qenë me magnitudë 4.4 ballë i shkallës Rihter, ndërsa epiqendra e tij raportohet të ketë qenë rreth 5 km larg Vorës.
Ndonëse prej orës 16:04 të së shtunës, kur u regjistruar tërmeti i parë i fortë me magnitudë 5.8 ballë Rihter, janë ndjerë mbi 300 lëkundje të tjera të tokës, por të gjitha nën 4 ballë. Ndërkohë, ky i mbrëmjes të së dielës ka qenë një nga më të fuqishmit që është ndjerë në 24 orët e fundit në vendit tonë.
Prej ditës së shtunë pasdite, vendi ynë është lëkundur nga një seri valësh sizmike, fuqia më e madhe u regjistrua një ditë më parë, 5.8 ballë i shkallës Rihter. Epiqendra e tërmetit të së shtunës ka qenë në detin Adriatik, disa km larg qytetit të Durrësit.
Në fakt, qyteti bregdetar ka qenë dhe më i prekuri nga tërmeti i rënë së fundi, ku ka pasur dëme të mëdha materiale, dhe disa dhjetra persona të plagosur. Po ashtu, edhe në Tiranë dhe Elbasan, lëkundjet e tokës kanë shkaktuar shumë dëme materiale në banesa dhe pallate, ndërsa strukturat shtetërore janë angazhuar për të përballuar situatën.