Një tërmet i fuqishëm goditi të enjten Turqinë duke shkaktuar panik në Stamboll. Epiqendra e tërmetit ka qenë në detin Marmara në një thellësi prej 11,9 kilometrash (7.3 milje) .
Sipas mediave turke tërmeti ishte me magnitudë 5.7 të shkallës rihter. Ai goditi Turqinë rreth orës 13.59.
Tërmeti ka nxjerrë në rrugë mijëra njerëz. Mediat turke shkruajnë se shumë zyra dhe shkolla u evakuuan.
Kryebashkiaku i Stambollit Ekrem Imamoglu shkroi në “Tëitter” se nuk ka raportime për dëme dhe njerëz të lënduar. Tërmeti raportohet të jetë ndjerë edhe në provincat fqinje.
Të martën, një tërmet me madhësi 4,6 ballë goditi gjithashtu Silivrin, sipas Autoritetit të Turqisë për Menaxhimin e Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD).
Pas goditjes së fuqishme ka pasur dhe dhjetëra lëkundje të tjera në Turqinë Perëndimore me një magnitudë më të vogël.
Edhe vendi ynë u godit nga një tërmet i fuqishëm me magnitudë 5.8 të shkallës rihter ditën e shtunë më 21 shtator, por fatmirësisht nuk shkaktoi viktima, vetëm dëme materiale.