Kryeministri Edi Rama ka propozuar emrin e kreut të Komisionit të Ekonomisë, Arben Ahmetaj si ministër Shteti për Rindërtimin. Lajmi konfirmohet nga vetë shefi i qeverisë, i cili thotë se duhet një vend i posaçëm edhe në tryezën e Këshillit të Ministrave për të koordinuar institucionet vendase dhe ato ndërkombëtare pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit.
“Programi i Rindërtimit dikton hapjen e një vendi të posaçëm edhe në tryezën e Këshillit të Ministrave, ku një ministër i ngarkuar ekskluzivisht me koordinimin e të gjitha institucioneve vendase e ndërkombëtare që lidhen me këtë program, të ndjekë orë e minutë zbatimin e Programit”, deklaroi Rama në një postim të tij në rrjetet sociale.
I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Presidentit, i cili nëpërmjet zëdhënësit ka deklaruar se nuk do të ketë asnjë sekondë vonesë për dekretimin e ministrit të ri të Shtetit për Rindërtimin. Më herët, Meta kaloi edhe ligjin për dhurimin e apartamenteve familjarëve të viktimave, si pasojë e tërmetit të datës 26 nëntor.