Në Tiranë shtëpitë e dëmtuara nga tërmeti, do t’i ndërtojë biznesi

AKTUALITET


Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion veliaj, ka mbledhur Shtabin e Emergjencave Civile, për të bërë raportimin e situatës. Gjatë fjalës së tij, Veliaj ka kërkuar nga grupet e punës në terren që të punojnë për normalizimin e situatës, duke shkuar në çdo familje të prekur nga tërmeti.

“Kjo është sfida që kemi tani, kthimi në normalitet; tërmetin nuk e kemi në dorë, kthimin në normalitet, solidaritetin, rimëkëmbjen, pastrimin dhe rikuperimin e humbjeve, këto i kemi vetë në dorë dhe do bëjmë maksimumin”, u shpreh ai. Më tej, Veliaj ka treguar hapat që duhet të ndjekin qytetarët e prekur nga tërmeti, të cilët kanë pësuar dëme në banesa.

“Duhet të jemi më të qartë, hapat janë: shkon te njësia administrative, aty listohesh, inventarizohet dëmi, plotësohet formulari, pastaj ju bëni lidhjen me ekipin tonë të vlerësimit. Ekipi i vlerësimit plotëson dokumentacionin dhe më pas i gjithë fondi, që kaloi dje, pjesëtohet sipas nevojave”, sqaroi Veliaj.

Kryebashkiaku i Tiranës është shprehur se për shtëpitë e prekura nga tërmeti, do të bashkëpunohet për ndërtimin me biznesin privat, ndërsa ka hedhur idenë që pallatet e dëmtuara rëndë, të rindërtohen nga e para, duke u kthyer në banesa sociale edhe për familje të tjera. “Do të nisim një binjakëzim, ku secili do të adoptojë nga një shtëpi; nuk i kushton askujt dy shtëpi në Zall-Herr, në Ndroq e kështu me radhë, tek komuniteti i sipërmarrjes e biznesit”, shtoi  Veliaj.

“Për Pallatet Sovjetike, struktura vërtet mund të jetë në rregull, por ato gjithsesi mbeten pallate me mballoma. Mund t’ia vlejë që ato të rizhvillohen dhe secili të marrë nga një apartament; mund t’ia vlejë që t’i zhvillojmë si banesa sociale, pra të prishim 3-katëshet dhe t’i bëjmë 5-katëshe, duke fituar edhe disa apartamente të tjera, për të tjerë njerëz në nevojë nga zona e Kombinatit, “Misto Mames”, Yzberishtit. Pra aty mund t’ia vlejë një zgjidhje afatgjatë”, theksoi Veliaj. Ndërkohë, ai shtoi se janë marrë të gjitha masat edhe për rifillimin e mësimit nesër nëpër shkolla.



Skip to toolbar