Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka deklaruar nga Parisi ku është takuar me Presidentin e Francës, Emmanuel Macron, në kuadër të Samitit të Paqes, se Kosova është gati të firmosë marrëveshjen e paqes me Serbinë. Jemi gati të vazhdojmë dialogun me Serbinë, ka thënë Thaçi, ndërsa ka theksuar se që të dy shtetet duhet të angazhohen për njohje reciproke dhe anëtarësim në OKB. “Jemi të gatshëm të vazhdojmë dialogun me Serbinë dhe të arrijmë një marrëveshje paqësore përfundimtare, që do të sjellë njohje të ndërsjellë dhe anëtarësim në Kombet e Bashkuara”, është shprehur presidenti Thaçi në takim me presidentin Macron.
Sipas Thaçit nënshkrimi i një marrëveshje të tillë, do të thotë zhvillim për Kosovën dhe më shumë mundësi për qytetarët e saj. “Kjo do të thotë rrumbullakim i konsolidimit ndërkombëtar të Kosovës. Kjo do t’i hapë rrugë investimeve nga jashtë. Kjo do të thotë zhvillim për Kosovën. Kjo do të thotë më shumë mundësi për prosperitet, për jetë më të mirë, për të gjithë qytetarët e Kosovës”, tha Thaçi.
Presidenti Thaçi në takim me presidentin Macron ka folur edhe për perspektivën euroatlantike të Kosovës. “Kosova ka vetëm një synim: anëtarësimin në NATO dhe BE. Asgjë nuk na lëkund nga ky synim dhe asgjë nuk na lëkund nga kjo rrugë”, ka thënë presidenti Thaçi.
Presidenti Macron ka shprehur përkrahjen e tij për paqe të qëndrueshme dhe zhvillim në Kosovë dhe në tërë rajonin tonë. Presidenti Thaçi e ka falënderuar presidentin Macron për përkrahjen e tij për Kosovën dhe tërë Ballkanin Perëndimor.