Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thirrur në një takim në presidencë kreun e Vetëvendosjes, Albin Kurtin, të cilin do ta mandatojë si kryeministër për të krijuar qeverinë e re të Kosovës. Takimi është njoftuar se do të zhvillohet të premten (sot) në orën 13:30. Ftesa i është dërguar liderit të Vetëvendosjes, si partia e parë fituese në zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit. Pas mandatit nga Presidenti, Albin Kurti do të ketë në dispozicion vetëm 15 ditë për të njoftuar Qeverinë e re.
Albin Kurtit i duhet domosdoshmërish që të krijojë një koalicion qeveritar me një tjetër parti, pasi i duhen 61 vota për t’u miratuar në parlament.
Në seancën parlamentare të se enjtes u betuan deputetët e rinj, ndërkohë që Glauk Konjufca nga Vetëvendosje u zgjodh në kryetar i Parlamentit.
Negociatat disa javore midis Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike, e cila doli parti e dytë në zgjedhje, nuk kanë dhënë ende një vendim pozitiv. Palët kanë ngecur te posti i Presidentit të Republikës, i kërkuar me shumë ngulm nga partia e drejtuar nga Isa Mustafa.
Ky i fundit deklaroi mbrëmë se nuk i quan ende të dështuara negociatat me Kurtin, çka lë të hapur mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje në minutat e fundit.