“Ftesa” e ish-presidentit amerikan Donald Trump drejtuar Vladimir Putinit për të sulmuar aleatët amerikanë që nuk përmbushin detyrimet e tyre financiare ndaj NATO-s është një zhvillim i ri shqetësues në anën tjetër të Atlantikut.
Nëse Donald Trump kthehet në Shtëpinë e Bardhë, në “çfarë versioni do të jetë?”. “Ai që i shtyn aleatët të shpenzojnë më shumë për mbrojtjen, vendos trupa të NATO-s në krahun lindor dhe fillon të armatosë Ukrainën apo ai që kërcënon të largohet nga aleanca dhe kritikon Vladimir Putinin?”
Në një tubim të 10 shkurtit, Trump, kandidati i supozuar republikan presidencial, tregoi se si lideri i një “vendi të madh” e pyeti dikur nëse Amerika do të mbronte një aleat që po “vononte” pagesat e tij, me sa duket një aleat që nuk i përmbushi objektivat e NATO-s për të shpenzuar 2% të PBB-së për mbrojtjen.
“Jo, nuk do të të mbroja”, u përgjigj Trump në atë kohë.
“Në fakt, unë do t’i inkurajoja ata të bëjnë çfarë të duan. Ju duhet të paguani. Ju duhet të paguani faturat tuaja,” tha ai.
Këto fjalë përbëjnë sulmin më të dëmshëm të Trump ndaj NATO-s dhe duhet të shërbejnë si alarm për të gjithë aleancën. Nuk ka shumë rëndësi nëse ai është duke e ekzagjeruar apo duke ritreguar një bisedë të vjetër.
Nxitja ndaj Rusisë për të sulmuar çdo vend të NATO-s në çfarëdo mënyre dobëson premtimin e shenjtë të Nenit 5 të Traktatit të Atlantikut të Veriut: se një sulm ndaj një aleati është një sulm ndaj të gjithëve dhe se një sulm edhe ndaj aleatit më të vogël është, në fakt, sulm mbi Amerikën.
Trump pretendon se masat shtrënguese të tij kanë arritur të bëjnë aleatët të shpenzojnë miliarda më shumë për mbrojtjen. Në vitin 2017, vitin e tij të parë në detyrë, vetëm katër nga 29 aleatët e NATO-s arritën objektivin prej 2 për qind, sipas shifrave të NATO-s.
Deri në vitin 2020, viti i fundit i presidencës së tij, ky numër ishte rritur në nëntë.
Trump sigurisht që ndihmoi aleatët në presion. Shtysa më e madhe, natyrisht, ishte kërcënimi në rritje nga Rusia: shpenzimet e mbrojtjes filluan të rriteshin në vitin 2015, para epokës së Trump, dhe vazhduan edhe më pas.
Në vitin 2023, me Biden në pushtet, 11 nga 31 aleatët arritën objektivin e 2% – shumica ka të ngjarë ta arrijë atë këtë vit, raportojnë mediat britanike. Nëse zgjidhet, politikat e mandatit të dytë të Trump do të varen pjesërisht nga kë do të emërojë në poste drejtuese.
Por ndikimi i tij i dëmshëm tashmë ndihet. Kundër gjykimit më të mirë të disa republikanëve, mbështetësit “Amerika së pari” të Trump kanë bllokuar për muaj të tërë miratimin e një projektligji për të rinovuar ndihmën ushtarake dhe civile për Ukrainën.
Trump dhe mbështetësit e tij në Kongres mburren se ai parandaloi luftëra të mëdha në kohën e tij, sepse armiqtë e kishin frikë. Duke folur pas shpërthimit të fundit të Trump, senatori Lindsey Graham tha: “Rusia nuk pushtoi askënd kur ai ishte president”.
Parandalimi funksionon kur angazhimi për mbrojtjen kolektive është absolut dhe i qartë. Duke hedhur dyshime, Trump ftoi Rusinë dhe armiqtë e tjerë të testonin vendosmërinë e Perëndimit.
Ministri i mbrojtjes i Danimarkës paralajmëroi kohët e fundit se Rusia mund të testojë angazhimin e anëtarëve të NATO-s ndaj nenit 5 brenda tre deri në pesë vjet. Homologu i tij britanik tha se vendi duhet të përgatitet për luftërat që përfshijnë Rusinë, Kinën, Iranin ose Korenë e Veriut në pesë vitet e ardhshme.
Siç vë në dukje The Economist, europianët duhet të veprojnë urgjentisht për të kundërshtuar një kërcënim të dyfishtë: një sulm nga Rusia dhe braktisje nga Amerika.
Në vend që të ankohen për Trump, ata duhet të fokusohen në arritjen e objektivit prej 2%.
Ata gjithashtu duhet të rishikojnë pragun: 3% e PBB-së është ndoshta ajo që nevojitet tani për të përmbushur planet ekzistuese të mbrojtjes së NATO-s dhe duhet të jetë më i lartë pa ndihmën e SHBA-së.
Amerika shpenzoi gati 3.5% të PBB-së për mbrojtje vitin e kaluar. Europianët po përballen me një kërcënim shumë më të madh.
Europianët do të duhet të investojnë në çdo gjë, nga municionet e deri te të gjitha gjërat e tjera që ofron Amerika në një shkallë masive: avionë transporti dhe furnizimi, mbrojtje ajrore, sisteme komandimi dhe kontrolli dhe platforma inteligjence duke filluar nga satelitët tek dronët.
Europianët nuk duhet thjesht të shpenzojnë më shumë, por duhet të shpenzojnë më mirë. Ata duhet të blejnë më shumë komponentë së bashku dhe të integrojnë industritë e tyre të mbrojtjes.
Për të nxitur vendet më të prapambetura, ata duhet të bien dakord që asnjë kandidat nga vendet që nuk plotësojnë standardet minimale nuk mund të zënë poste të larta.
Kjo do t’i shërbejë tre qëllimeve.
-Do të forcojë aftësinë e europianëve për të ndihmuar Ukrainën dhe për tu mbrojtur kundër Rusisë.
-Do të tregojë se europianët ndajnë barrën dhe se aleanca është një marrëveshje e mirë për Amerikën, dhe më në fund do të krijojë një mbrojtje kundër braktisjes së Trump.
Humbja e fuqisë amerikane do të ishte e pazëvendësueshme. Megjithatë, ato nuk do të kenë alternativë tjetër veçse të riarmatosen. Mënyra më e mirë për të shmangur këtë, dhe për ta zbutur atë nëse një Trump armiqësor vjen në pushtet, është që Europa të përgatitet për të./ Përktheu: abcnews.al