”The New York Times”: Zgjedhjet dhe dezinformimi po përplasen si kurrë më parë

BOTA


Miliarda njerëz do të votojnë në zgjedhje kryesore sivjet – gati gjysma e popullsisë së botës, vlerësojnë disa – në një prej ushtrimeve më të mëdha dhe më të rëndësishme demokratike deri në ditët e sotme. Rezultati i tyre do të ndikojë në mënyrën se si funksionon bota në dekadat e ardhshme.

Në të njëjtën kohë, narrativat e rrejshme dhe teoritë konspirative kanë evoluar në kërcënim të ashpër global. Qëndrimet e pabaza për mashtrim në zgjedhje kanë zbehur besimin në demokraci. Fushatat e ndikimit të huaj vazhdimisht kanë pasur cak sfidat e brendshme polarizuese.

Inteligjenca artificiale u ka dhënë hov përpjekjeve dezinformuese dhe ka çorientuar perceptimet e realitetit. Krejt këto kanë ndodhur në kohën kur kompanitë kryesore të rrjeteve sociale kanë ulur parzmoret dhe kanë reduktuar ekipet e zgjedhjeve.

“Gati çdo demokraci është në stres dhe e pavarur nga teknologjia”, thotë Darrel M. West, bashkëpunëtor në Institutin Brookings. “Kur shtoni dezinformimin në krye të kësaj, thjesht krijon më shumë mundësi për keqbërje”. Rreziku është shumë i lartë.

Demokracia, e cila u përhap me të madhe pas fundit të Luftës së Ftohtë, përballet me sfida anembanë – nga migrimi masiv shkaku i ndryshimeve klimatike, pabarazitë ekonomike e deri te lufta. Dështimi në shumë shtete për të reaguar siç duhet në teste të tilla ka tkurrur besimin në shoqëritë liberale dhe pluraliste, duke i hapur dyert për paraqitjet e liderëve populistë dhe të fuqishëm.

Shtetet autokratike, të prira nga Rusia dhe Kina, u kanë prirë rrymave të pakënaqësive politike për të shtyrë përpara narrativat që cenojnë qeverisjen dhe lidershipin demokratik. Këto shtete shpesh kanë sponsorizuar fushata të dezinformimit. Nëse përpjekjet e tyre kanë sukses, zgjedhjet mund të përshpejtojnë ngritjen e liderëve me mendësi autoritare.

Fyodor A. Lukyanov, analist i organizatës së përkrahur nga Kremlini në Moskë, “Këshilli për Politika të Jashtme dhe të Mbrojtjes”, së fundmi ka thënë se 2024 “mund të jetë viti kur elita liberale e Perëndimit humb kontrollin e rendit botëror”.

“Establishmenti politik në shumë shtete, ashtu si në organizatat ndërqeveritare si G-20, duken të gatshme për përmbysje”, thotë Katie Hardbath, themeluese e firmës për politika teknologjike “Anchor Change” dhe drejtoreshë e politikave publike në Facebook. Dezinformimi – i përhapur nga rrjetet sociale, por edhe nga shtypi, radio, televizioni dhe thashethemet – rrezikojnë të destabilizojnë procesin politik.

“Do të hyjmë në vitin 2025 dhe bota do të duket krejt ndryshe”, thotë ajo.

Operatorët agresivë të shtetit

Burimet më të mëdha të dezinformimit në fushatat zgjedhore janë qeveritë autokratike që bëjnë përpjekje të diskreditojnë demokracinë si model global të qeverisjes.

Në muajt e fundit, Rusia, Kina dhe Irani janë përmendur nga hulumtuesit dhe qeveria e SHBA-së si shtetet që ka gjasë të nisin operacione të ndikimit për të prishur zgjedhjet e shteteve të tjera, përfshirë presidencialet e këtij viti në SHBA. Shtetet e shohin vitin e ardhshëm “si mundësi reale për të na vënë në siklet në skenën botërore, për të shfrytëzuar ndasitë sociale dhe thjesht për të minuar procesin demokratik”, thotë Brian Liston, analist në “Recorded Future”, kompani e sigurisë digjitale që së fundmi ka raportuar për kërcënimet e mundshme ndaj garës zgjedhore të SHBA-së.

Kompania ka analizuar përpjekjet e ndikimit rus që Meta i ka identifikuar në fund të vitit 2023. Këto përpjekje njihen si “Doppelgänger”, ose dubluesi, gjatë të cilave imitoheshin organizatat ndërkombëtare të lajmeve dhe krijonin llogaritë e rreme për të përkrahur propagandën ruse në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Evropë. “Doppelgänger” ka përdorur mjetet e inteligjencës artificiale për të krijuar portale të politikës amerikane me tituj si “Election Watch” dhe “My Pride”.

Fushatat e tilla shumë lehtë kalojnë kufijtë.

Teoritë konspirative – si ajo se SHBA-ja bën skema me aleatët në shtetet e ndryshme për të ndërruar pushtetet ose se ka fabrika sekrete të armëve biologjike në Ukrainë – kanë synuar të diskreditojnë ndikimin politik dhe kulturor të SHBA-së dhe Evropës në krejt botën. Këto teori konspirative janë shfaqur në gjuhën urdu në Pakistan dhe me gjuhë të ndryshme janë shfaqur edhe në Rusi, duke zhvendosur opinionin publik të këtyre vendeve në favor të politikanëve antiperëndimorë.

Narrativat e rrejshme që qarkullojnë rreth botës shpesh ndahen nga komunitetet e diasporës ose orkestrohen nga operativët e mbështetur nga shteti. Ekspertët parashikojnë se narrativat për manipulim të zgjedhjeve do të vazhdojnë të evoluojnë dhe të bëjnë jehonë, siç ndodhi në SHBA dhe Brazil gjatë vitit 2022 dhe më pas në Argjentinë një vit më vonë.

Rrethi i polarizimit dhe ekstremizmit

Ambienti politik gjithnjë e më i polarizuar dhe kundërshtues ka nxitur gjuhën e urrejtjes dhe dezinformimin. Kjo shtyn votuesit që të barrikadohen edhe më shumë. Pakica e motivuar e zërave ekstremë, e ndihmuar nga algoritmet e mediave sociale që përforcojnë paragjykimet e përdoruesve, shpesh mbyt shumicën e moderuar.

“Ne jemi në mes të ripërcaktimit të normave tona shoqërore rreth të folurit dhe se si mbajmë njerëzit përgjegjës për atë të folur, qoftë në internet, qoftë në realitet”, thotë Harbath. “Ka shumë këndvështrime se si ta bëjmë këtë në këtë shtet, e lëre më në krejt botën”.

Disa zëra më ekstremë kërkojnë njëri-tjetrin nëpër platforma alternative të rrjeteve sociale, si Telegrami, BitChute dhe Truth Social. Thirrjet për të parandaluar mashtrimin e votuesve – që sipas statistikave janë të parëndësishme – u shfaqën së fundmi në këto platforma, raporton Pyrra, kompani që monitoron kërcënimet dhe dezinformatat.

“Përhapja dhe pranimi i këtyre narrativave kanë nisur të pranohen”, madje duke ndikuar direkt në politikat dhe legjislacionin e zgjedhjeve, thuhet në studimin e Pyrras.

“Këto konspiracione kanë lëshuar rrënjë në mesin e elitës politike, që po përdor këto narrativa për të fituar zemrën e publikut teksa ka degraduar transparencën, kontrollin dhe balancën e vetë sistemit që ata synojnë ta menaxhojnë”, thonë studiuesit e kompanisë.

Ndikimi i inteligjencës artificiale

Inteligjenca artificiale “ofron premtime për qeverisje demokratike”, thuhet në raportin e Universiteteve të Chicagos dhe Stanfordit. “Chatbotët” e fokusuar politikisht mund të informojnë votuesit për çështjet kyç dhe të mundësojnë komunikimin më të mirë mes votuesve dhe zyrtarëve të zgjedhur.

Mirëpo kjo teknologji mund të jetë vektor për dezinformim. Imazhet e rrejshme të nxjerra nga inteligjenca artificiale tashmë janë përdorur për të përhapur teori konspirative, siç është teoria konspirative rreth komplotit global për të zëvendësuar evropianët e racës së bardhë me emigrantët e racave të tjera.

Në muajin tetor, Jocelyn Benson, sekretarja e shtetit të Michiganit, u shkroi senatorit Chuck Schumer, demokratit nga New Yorku dhe udhëheqësi i shumicës në Senat, se “përmbajtja e krijuar nga inteligjenca artificiale mund të shtojë besueshmërinë ndaj dezinformatave për vende të veçanta të votimit”.

Lawrence Norden, i cili drejton programin e zgjedhjeve dhe qeverisjes në qendrën “Brennan” për drejtësi, institut për politika publike, shton se inteligjenca artificiale mund të imitojë sasi të mëdha të materialeve nga zyrat zgjedhore dhe t’i përhapë ato. Ose mund të prodhojë befasi në ditët e fundit të tetorit, si audiot me shenjat e intervenimit të inteligjencës artificiale. Këto audio u publikuan në zgjedhjet shumë të rëndësishme të Sllovakisë gjatë zgjedhjeve të vjeshtës.

“Krejt këto gjëra kanë qenë kërcënime për demokracinë tonë në vitet e fundit dhe janë përkeqësuar potencialisht nga inteligjenca artificiale”, thotë Norden.

Disa ekspertë janë të shqetësuar se vetëm prania e veglave të inteligjencës artificiale mund të dobësojë besimin në informacion dhe t’ua mundësojë aktorëve politikë që të mohojnë përmbajtjen e vërtetë. Inteligjenca artificiale është “vetëm një nga kërcënimet”, thotë James M. Lindsay, zyrtar i Këshillit për Marrëdhëniet e Jashtme.

“Nuk do t’i hiqja nga sytë mënyrat e vjetra të dezinformimit dhe keqinformimit”, thotë ai.

Gjigantët teknologjikë

Në vendet në të cilat planifikohen të mbahen zgjedhje të përgjithshme gjatë vitit 2024, dezinformimi është shqetësimi kryesor te shumica e njerëzve të anketuar nga UNESCO, organizata kulturore e Kombeve të Bashkuara. Megjithatë, kanë dështuar përpjekjet e rrjeteve sociale për të kufizuar përmbajtjen toksike, e cila u përshkallëzua pas zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016 në SHBA.

Meta, YouTube dhe X, platforma e njohur më parë si “Twitter”, kanë tkurrur ekipet përgjegjëse për të kontrolluar materialet e rrezikshme ose të pasakta. Disa prej këtyre rrjeteve sociale po ofrojnë veçori të reja, siç është transmetimi privat, të cilat janë vështirë për t’u monitoruar.

Kompanitë e kanë nisur vitin “me më pak përgjegjësi me shkrim dhe miliarda njerëz në botë që u drejtohen këtyre platformave për informacione”. Kjo nuk është ideale për ruajtjen e demokracisë, thotë Nora Benavidez, këshilltare në “Free Press”.

Përmbajtja e tillë u përhap në “X” kur miliarderi Elon Musk mori drejtimin e kompanisë në fund të vitit 2022. Muaj më vonë, Alexandra Popken dha dorëheqje nga roli në menaxhimin e operacioneve të besimit dhe sigurisë në “X”. Shumë kompani të rrjeteve sociale po mbështeten në mjete jo të besueshme të moderimit të përmbajtjes të fuqizuara nga inteligjenca artificiale, duke larguar nga puna njerëzit.

“Integriteti i zgjedhjeve është përpjekje aq gjigante saqë u duhen njëmend strategji proaktive, shumë njerëz, tru dhe dhoma lufte”, thotë ajo.



Skip to toolbar