Policia e Shkodrës në bashkëpunim me atë të Lushnjës, arrestuan të martën shtetasin Bardhok Planaj, pasi kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në burg”. Sipas policisë, Planaj është person me precedent të theksuar kriminal.
“Më datë 03.12.2018 nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër është lëshuar urdhër-ekzekutimi në bazë të vendimit penal nr.1168, datë 29.11.2018, në të cilin është vendosur masa e sigurisë “Arrest në burg” për shtetasin Bardhok Planaj për veprat penale “Pastrim i produkteve të veprës penale”, “Falsifikimi i vulave dhe stampave” dhe “Ndërtim i paligjshëm”. Këtij personi i është bërë sekuestro preventive e një pallati 10 katësh me vlerë 2 milion euro”, thuhet në njoftimin e policisë.
Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik-Financiar, në bashkëpunim me Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë Shkodër ushtroi kontroll në banesën e shtetasit Bardhok Planaj, i cili ishte me masë sigurie “Arrest në shtepi”, por nuk u gjet në banesë.
Policia e Shkodrës e shpalli në kërkim dhe pas informacioneve të marra, në bashkëpunim me Policinë e Lushnjës bëri kapjen dhe arrestimin në qytetin e Lushnjës të shtetasit Bardhok Planaj, për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.