Në një spital të mbipopulluar në qytetin e Gazës, një foshnjë 7-muajshe, Mohammed, që peshon vetëm 4 kilogramë, ka të veshura një palë rroba me një emoji që buzëqesh dhe mbishkrimin “djalë i lumtur”, një ironi therëse në mes të një krize urie vdekjeprurëse.
Mohammed kalon pjesën më të madhe të ditës duke qarë nga uria ose duke kafshuar gishtat e tij të dobësuar. Kjo është hera e dytë që ai shtrohet në spital për shkak të kequshqyerjes. Trupi i tij është i deformuar, fytyra e zbehtë dhe brinjët i duken qartë nën lëkurën e holluar.
“Nuk kam frikë më nga bombat.Tani frika më e madhe është se do ta humbas nipin tim nga uria,” thotë gjyshja e tij, Faiza Abdul Rahman, e cila vetë është e rrënuar nga mungesa e ushqimit. Një ditë më parë kishte ngrënë vetëm një copë bukë, që kushtoi 15 shekelë (rreth 3 £).
Fëmijët e tjerë të familjes gjithashtu vuajnë nga uria. “Ka ditë që flenë pa ngrënë asgjë,” thotë Faiza. Nëna e Mohammedit, për shkak të kequshqyerjes gjatë shtatzënisë, nuk kishte prodhuar qumësht për ta ushqyer, dhe familja ka arritur të sigurojë vetëm dy kanaçe me qumësht pluhur që nga lindja e tij.

Në spitalin “Shoqata Bamirëse e Miqve të Pacientëve”, dhoma ku qëndron Mohammed është plot me fëmijë të tjerë të kequshqyer, shumë prej tyre të dyfishuar nëpër shtretër. Aktualisht, në qytetin e Gazës funksionojnë vetëm dy ekipe pediatrike, ndërkohë që çdo ditë kërkojnë ndihmë deri në 200 fëmijë.
Dr. Musab Farëana, pediatër në këtë spital, përpiqet të shpëtojë jetë çdo ditë, shpesh edhe pa sukses. Edhe familja e tij po vuan nga mungesa e ushqimit. Pagat e ulëta nuk mjaftojnë për të blerë ushqimet bazë dhe ai nuk guxon të rrezikojë jetën për të marrë ndihma ushqimore, pas vdekjes së kolegut të tij, Dr. Ramzi Hajaj, gjatë një shpërndarjeje të ndihmave.
Pavarësisht paralajmërimeve ndërkombëtare për urinë, Gaza po përjeton tani një krizë të thellë humanitare. Vetëm gjatë tri ditëve të fundit janë regjistruar 43 vdekje nga uria më shumë se gjysma e totalit që nga fillimi i luftës.

“Kam kaluar luftëra dhe rrethime, por kjo është periudha më e vështirë që kemi përjetuar ndonjëherë,” thotë Faiza.
Shifrat e publikuara nga autoritetet izraelite, OKB-ja dhe organizatat humanitare tregojnë se furnizimi me ushqim është drejt fundit. Çmimet kanë arritur nivele të papërballueshme, mielli po shitet më shumë se 30 herë më shtrenjtë sesa në fillim të vitit. As paratë dhe as lidhjet nuk garantojnë më siguri apo furnizim.
