Tirana International Airport (TIA) ka njoftuar uljen e tarifës së pasagjerit dhe ka bërë të ditur një plan ambicioz investimesh në strukturën e aeroportit, për të kontribuar në lehtësimin e çmimeve të biletës dhe zhvillimit në tërësi të aviacionit dhe turizmit shqiptar.
Zhvillimet e reja vijnë pas datës 18 Dhjetor 2020, ditë kur kompania shqiptare Kastrati Group, e themeluar që në vitin 1990, mori në zotërim 100% të kapitalit aksionar të TIA-s, pas blerjes së aksioneve nga kompania kineze “Real Fortress Limited”.
“Ulja e tarifës së pasagjerit nga 12.5 Euro në 10 Euro është vendimi i parë që ka marrë TIA dhe që do startojë me ndryshimin e Kontratës së Koncesionit të miratuar në vitin 2004. Si pasojë e kësaj uljeje të tarifës, efekti në uljen e çmimit të biletës së avionit dhe në rritjen e numrit të fluturimeve dhe destinacioneve, do të jetë më se i dukshëm.
Si pjesë e ndryshimeve të Kontratës së Koncesionit, TIA njofton se një paketë e plotë investimesh, të cilat arrijnë një total prej afërsisht 100 milionë Euro do të jetë në vëmendjen e menaxhimit duke patur në fokus, zgjerimin e kapacitetit akomodues të aeroportit me 6 milionë pasagjerë në vit, zgjatimin e pistës, përmirësimin e plotë të infrastrukturës së aeroportit dhe përmirësimin e ndjeshëm të cilësisë së shërbimeve.
Plani i investimeve nga koncesionari i ri synon të përmirësojë ndjeshëm operimin në aeroportin “Nënë Tereza” dhe ta shndërrojë Tirana International Airport në një shembull pozitiv në rajon, me një impakt të jashtëzakoshëm në rritjen e turizmit në Shqipëri dhe përmirësimin e lehtësisë së të bërit biznes.
Bashkë me uljen e tarifës së pasagjerit, pjesë e paketës së ndryshimit të Kontratës së Koncesionit është edhe liberalizimi i Ground Handling Services (Shërbimet në Tokë) dhe liberalizimi i tregut të karburantit të avionëve që do të sjellë kosto më të ulët në çmimin e këtij karburanti. Të gjitha këto ndryshime të rëndësishme do kenë një efekt të menjëhershëm në tërheqjen e linjave të tjera “low cost”, përfshirë Ryan Air, dhe rrjedhimisht do të kenë efekt në uljen e çmimit të biletës që paguajnë udhëtarët e TIA-s. Më tej, me lehtësimin e kushteve të udhëtimit pas pandemisë, këto vendime do të ndikojnë në shtimin e numrit të fluturimeve dhe destinacioneve”, thuhet në njoftimin zyrtar