Tirana do fitore ndaj Skënderbeut me probleme

SPORT


Tirana kryeson kampionatin dhe kërkon që një gjë të tillë të vijojë ta bëjë edhe pas sfidës në shtëpi kundër Skënderbeut, takim që do të luhet të shtunën në orën 16:00 në stadiumin “Selman Stërmasi”. Sfida është vendosur të luhet pasdite për shkak se impianti i vjetër kryeqytetas nuk e ka kaluar testin e ndriçimit. Ardian Mema shpreson që të thyejë korçarët dhe të shkojë me ekipin e karikuar në maksimum në takimet ndaj Kukësit dhe Partizanit. Ai nuk kërkon asnjë neglizhim nesër, ndonëse pranon se Skënderbeu ka probleme dhe është njëjtë siç ishte Tirana sezonin e shkuar. Gjatë një konference për shtyp, Mema i është përgjigjur interesit të gazetarëve për këtë sfidë.

A është Skënderbeu kundërshtari i duhur për vazhdimësinë e Tiranës?

Çdo kundërshtar ka specifikat dhe vështirësitë e veta dhe sado i dobët të jetë në letër, nëse nuk do kesh përqendrimin e duhur do hasësh vështirësi gjatë lojës. Shpresoj që ne si ekip t’i bëjmë hyzmetin qoftë e fortë apo e dobët, sepse kjo do na bëjmë mirë edhe për ecurinë.

A është një ndeshje e thjeshtë?

Jo nuk ka ndeshje të thjeshtë! Ndeshjet e thjeshta janë në komentet e njerëzve. Ne duhet t’i përgatisimin ndeshjet ashtu siç duhet për të arritur rezultatet dhe sukseset e duhura.

A është Skënderbeu një nxemje për Kukësin dhe Partizanin?

Unë me ç’shikoj, paskeni bërë vlerësim jo të duhur. Skënderbeu ka trajner të shkëlqyer që i merr maksimumin lojtarëve. Kam qenë pjesë e stafit të Dajës. Nuk duhet ta mendojmë Skënderbeun si kundërshtar të lehtë në letër. Çdo gjë ndodh në futboll, duhet ta përgatisim ekipin për çdo lloj skenari. Skënderbeu dhe të gjitha ekipet shqiptare, nëse fokusohen, të hapin probleme. Nëse do të mendojmë të gjithë që Skënderbeu është i dobët në letër, do të jetë një gabim fatal i joni. Për ne ndeshja e nesërme është më e rëndësishmja e muajit. Duhet të vlerësojmë çdo ndeshje. Kukësi dhe Partizani kërkojnë përqendrimin e vet. Çdo ndeshje ka specifikën e vet. Neve na del për detyre të fitojmë çdo ndeshje. S’kemi çfarë mendojmë tjetër.

Çfarë duhet të bëjë skuadra për të mposhtur Skënderbeun?

Unë kam qenë pjesë e Skënderbeut kur kishte realisht lojtarë të mirë, shkoi në Kupat e Europës, ishte ekip me shumë vlera. Vlerat t’i japin gjithmonë futbollistat. Skënderbeu është më shumë emër, pak a shumë siç ka qenë Tirana vjet, thjesht emër, nuk është se kishte një gjirin e saj lojtarë të mirë. Mendojmë të bëjmë maksimumin dhe kaq. Nuk mund të zgjatem më shumë. Nuk mund të them më shumë. Nuk është shkëlqimi i dikurshëm, por ka emër. Për gjërat e tjera duhet të flas me lojtarët, nuk mund t’i them në konferencë.

A do të jetë Torasa i gatshëm nesër?

Torasa nuk është i gatshëm nesër. Ka shprehur gatishmëri për të luajtur por nuk e rrezikoj ta humbas vetëm për një ndeshje. Do të jetë pjesë në javët në vazhdim.

Mungesa e Likës?

Çdo lojtar që do mungojë, për sa i përket formacionit, do më prishte punë. Kemi kapacitet e duhura për ta menaxhuar ndeshjen siç duhet dhe për ta kaluar.

Roli i Osmanit në skuadër…

Është herët për të folur, por mendoj se Osmani ka pjesën e vet. Nuk është mirë as për mua që të mendoj se ardhja e një futbollisti ka ndryshuar çdo gjë. Ai është një pikë e fortë e ekipit tonë, ashtu siç është Batha në mesfushë apo pjesa tjetër e skuadrës.

Pikësynimi i nesërm janë 3 pikët…

Ne luajmë për 3 pikë dhe duam që t’ia marrim çdo ekipi, jo vetëm Skënderbeut. Nëse do jemi gjithmonë pretendent gjithmonë duhet të kemi kërkesë ndaj vetes për të fituar ndeshje. Kjo pjesë të bën për titull dhe nuk mund të bësh hapa fals e më pas të jesh pjesë e elitës. E gjithë filozofia është si i fiton ndeshjes. Në skuadër, duhet mentalitet fituesi. Duhet t’i bëjmë hyzmetin çdo skuadre, për të shkuar te titulli.

A keni objektiv pikësh?

Për sa kohë i bëjmë hyzmetin çdo ndeshje, janë dhe pikët në mes. Pikët të çojnë te titulli. Objektivi pikësh nuk kemi, fokusi jonë është të fitojmë çdo ndeshje. Se si mund t’i bëjmë llogaritë, kjo duhet parë. Primare është të fitojmë pikët dhe të jemi pjesë e vendeve të para.



Skip to toolbar