Syri.net: Gjermania, “Po” hapjes së negociatave me BE

POLITIKË


Ministri gjerman për Europën në kabinetin e Merkel, Michael Roth ka dërguar një letër në Bundestag, ku kërkon që parlamenti gjerman të japë një po me disa kushte për negociatat me Shqipërinë, duke dhënë kështu edhe qëndrimin e qeverisë gjermane mbi këtë çështje.

Ky informacion është publikuar nga Syri.net, një portal i njohur për frymën opozitare ndaj mazhorancës socialiste, pikërisht në ditën, kur kryeministri Rama pati takim me Angela Merkel, por që nuk pranoi të japë detaje të shumta mbi atë që është diskutuar me kancelaren gjermane. Sipas portalit Syri.net, në letrën e dërguar në Bundestag, që pritet të marrë vendimin në fund të shtatorit deklarohet se kushtet duhet të plotësohen nga Shqipëria gjatë procesit të pranimit, ku kryesisht vihet theksi mbi reformën zgjedhore dhe zbatimin e saj, por edhe për plotësimin e reformës në drejtësi.


Ministri gjerman për Europën, Roth, i cili edhe më herët ka mbështetur hapjen e negociatave me Shqipërinë argumenton për Bundestagun se reforma zgjedhore dhe zbatimi i saj është një nga kushtet që duhet të plotësohet nga Shqipëria.

Po ashtu, ai vë theksin edhe te reforma në drejtësi, jo vetëm për krijimin e institucioneve, por edhe për goditjen e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Fillimi i procedurave penale kundër gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilët akuzohen për sjellje të ndëshkueshme në procesin e vettingut, krijimi i strukturës speciale për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, SPAK; Përpjekje të rritura për të siguruar funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë, dhe SPAK, duke i pajisur këto institucione me një numër të duhur të gjyqtarëve dhe prokurorëve”, janë disa nga kushtet që Gjermania kërkon t’i vendosë Shqipërisë për të realizuar gjatë procesit të pranimit. Po ashtu, letra e Roth, sipas Syri Tv, thotë se Gjermania i kërkon Shqipërisë të bëjë përparim solid në ndërtimin e një rekordi në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në të gjitha nivelet dhe progres të prekshëm në reformën administrative.

Sipas qeverisë gjermane, çelja e negociatave është e domosdoshme për vijimin e reformave në fushën e sundimit të ligjit dhe për të bërë përparim të mëtejshëm në negociatat në varësi të progresit. Gjithashtu do të kërkohet që Shqipëria të paraqesë plane veprimi për reformat, zbatimin e të cilave Komisioni Europian do të shikojë dhe raportojë vazhdimisht. Më tej theksohet se Presidenca Finlandeze e Bashkimit Europian e ka sqaruar se dëshiron të përshpejtojë procesin për hapjen e negociatave të pranimit dhe në përputhje me konkluzionet e këshillit të 18 qershorit 2019 kërkon të arrijë në BE sa më shpejt të jetë e mundur dhe jo më vonë se tetori 2019.

Gjithsesi duket se kriza politike në Shqipëri, qoftë ajo me opozitën jashtë parlamentit, ashtu edhe përplasja mes kreut të shtetit dhe mazhorancës nuk kanë qenë në fokusin e qeverisë gjermane për negociatat me Shqipërinë. Ajo që vihet re në kushtet e publikuara kanë të bëjnë pikërisht me dy reforma të rëndësishme, ku ajo zgjedhore është penguar nga opozita, ndërsa ajo e drejtësisë është sulmuar si nga opozita ashtu edhe kreu i shtetit.




Skip to toolbar