Tirana është duke zhvilluar minifazën përgatitore të dimrit në Antalia të Turqisë. Të shtunën skuadra bardheblu luajti takimin e dytë miqësor i programuar për këtë fazë përgatitore. Bardheblutë luajtën kundër skuadrës hungareze Mezokovezdit, duke e mundur minimalisht me rezultatin 1-0. Goli u shënua nga mesfushori Elton Cale në pjesën e dytë.
Me fitoren e të shtunës, duket se skuadra i dha të tjera sinjale pozitive trajnerit Emanuel Egbo. Ai hodhi në fushën e lojës, që nga minuta e parë, disa futbollistë që kanë ardhur nga radhët e akademisë. Duket se Egbo po projekton një Tiranë ndryshe për pjesën tjetër të sezonit, me objektivin për të fituar titullin kampion.
Kjo ishte ndeshja e dytë miqësore në Turqi, pas sfidës së tre ditëve më parë ndaj Alaniasporit, që e fitoi skuadra turke me rezultatin 2-1. Tirana do të vijojë të qëndrojë edhe disa ditë në Turqi, ndërsa ka planifikuar të zhvillojë dhe një tjetër takim miqësor, para se të kthehet për në Shqipëri.