Tirana kulmon me festimet, ‘harron’ pandeminë dhe i kthehet festës

AKTUALITET


Një natë e mbushur me festime, fishekzjarrë në qiell dhe tavolinat plot. Kështu e kaluan shqiptarët festën e ndërrimit të viteve, ndërsa të gjithë shpresojnë që 2022-shi të jetë një vit i mbarë, larg pandemisë së koronavirusit. Teksa festa kulmoi në kryeqytet, ku të shumtë ishin qytetarët që pritën ndërrimin e viteve në sheshin “Skëndërbej”, ku panë nga afër spektaklin e fishekzjarrëve, e njëjta gjë ndodhi paralelisht në të gjitha qytetet e tjera të Shqipërisë. Bashkia e Tiranës kishte organizuar një koncert për ndërrimin e viteve dhe urimi erdhi në shesh nga kryetari i bashkisë, Erion Veliaj.

“Kemi kaluar një situatë të jashtëzakonshme dy vite të vështira me tërmetin dhe pandeminë por kur ne bëhemi bashkë çohemi gjithmonë më të fortë më të bashkuar më të dashur ndaj ju uroj të gjithëve një vit të mbarë për ju dhe familjeve tuaja.”, tha Veliaj në urimin e tij.

Nisur nga situata pandemike në vend, Komiteti Teknik i Ekspertëve vendosi të heqë orën policore dhe qytetarët kanë qëndruar dhe pas orës 23:00 jashtë shtëpive, për të pritur Vitin e Ri, duke rikujtuar dhe njëherë festën përpara pandemisë. Fatmirësisht gjatë festës së ndërrimit të viteve nuk u regjistruan incidente, përveç një rasti në zonën e ‘Don Boskos’, në Tiranë, ku një apartament në katin e katërt të një pallati u përfshi nga flakët. Fatmirësisht incidenti nuk pati të lënduar në njerëz. Deri më tani fatmirësisht Policia e Shtetit nuk ka raportuar incidente të tjera, persona të plagosur me fishekzjarrë apo aksidente rrugore.

Real Story  bashkohet urimeve dhe dëshirave të shqiptarëve, duke iu uruar atyre kudo që janë, brenda dhe jashtë kufijve Gëzuar Vitin e Ri 2022! Qoftë një vit i mbarë me shëndet të mirë e plot suksese për të gjithë!



Skip to toolbar