Ashtu siç ishte paralajmëruar, Tirana zyrtarizoi të dielën mesfushorin Lancient Sidibe. 23-vjeçari, që më parë ka luajtur për disa klube në Superligë, si Teuta dhe Flamurtari, do të jetë futbollist i Tiranës deri në fund të këtij sezoni. Ai është huazuar te bardheblutë nga skuadra e Besëlidhjes.
“Mesfushori nga Guinea, Lancinet Sidibe është prezantuar sot zyrtarisht si lojtar i Tiranës. 23-vjeçari i huazuar nga skuadra e Besëlidhjes ka nënshkruar kontratë deri në përfundim të sezonit. Më parë Sidibe ka luajtur edhe me ekipet e Teutës dhe Flamurtarit në Kategorinë Superiore”, shkruan Tirana në njoftimin zyrtar.
Sidibe është afrimi i parë për merkaton e dimrit te Tirana, pasi gjatë janarit skuadra bardheblu ka vendosur të mos shpenzojë shumë. Megjithatë, Sidibe do të jetë një armë shtesë për trajnerin Egbo, që synon të rikthejë titullin kampion te bardheblutë.