Shqipëria është goditur nga 850 lëkundje sizmike, pas tërmetit të fuqishëm me magnitudë 6.4 të shkallës Rihter. Sizmologu Llambro Duni, i kontaktuar nga “Real Story” tha se “pas tërmetit me magnitudë 6.4 vendi është lëkundur nga 850 pasgoditje, ku 8 prej tyre kanë qenë mbi 4.5 dhe 20 lëkundje të tjera me magnitudë mbi 3.5 të shkallës Rihter.”
Pasgoditjet janë normale pas tërmetit të fortë që tronditi Tiranën dhe Durrësin mëngjesin e 26 nëntorit. Pasojat më të rënda tërmeti i la në Thumanë dhe Durrës, ku disa pallate, hotele e banesa u shkatërruan plotësisht. Këto shkatërrime fatkeqësisht shkaktuan viktima numri i të cilave ka shkuar në 47 persona dhe mbi 790 të tjerë të lënduar, të cilët kanë marrë shërbimet mjekësore.
Si pasojë e kësaj tragjedie ka pasur edhe një solidarizim të jashtëzakonshëm si nga shqiptarët, Kosova, vendet e Ballkanit, por edhe nga partneret e Shqipërisë në të gjithë botën.
