Vijon gjendja e gatishmërisë, mijëra të prekur nga tërmeti marrin shërbim mjekësor

AKTUALITET


Bilanci i tërmetit të së martës vjen duke u bërë dhe më tragjik. Mbrëmjen e të enjtes u gjetën katër trupa të pajetë të familjes Lala në Durrës. Ato i përkisnin Marjetës dhe tre fëmijëve të saj, dy prej të cilëve ishin binjak. Ndërkohë, numri i viktimave shkon zyrtarisht në 47 persona, ndërsa janë shpëtuar 45.

Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë konfirmoi se në total rezultojnë 790 persona të plagosur që kanë marrë trajtime shëndetësore. 700 prej të plagosurve kanë marrë shërbim mjekësor në spitalin e Traumës në Tiranë dhe atë të Durrësit.


Aktualisht janë të shtruar 62 të lënduar, gjendja e të cilëve paraqitet e stabilizuar, përveç 3 personave që janë në observim intensiv dhe një e plagosur nga tërmeti në gjendje të rëndë në spitalin e Traumës.

Përpos qytetarëve që po marrin trajtim në spitale, janë kryer 886 vizita mjekësore për banorët e prekur nga tërmeti që po marrin trajtim në qendrat shëndetësore 24/7 të hapura pranë zonave të prekura. Ndërsa 335 persona kanë marrë shërbimin mjekësor pranë kampeve të emergjencës në Thumanë dhe Durrës.

Urgjenca kombëtare ka përballuar 4411 thirrje për ndihmë që nga momenti i rënies së tërmetit dhe ka realizuar 1106 misione me autoambulancë. Të gjitha spitalet dhe qendrat shëndetësore pranë zonave të prekura nga tërmeti janë në gatishmëri të përforcuar.

Ndërkohë, kërkimet vijojnë për gjetjen e trupave të tjerë të mbetur në rrënoja në banesat dhe pallatet e shembura në Durrës.




Skip to toolbar