Një rrjet trafikantësh droge, i përbërë kryesisht nga shqiptarë, u godit gjatë një operacioni policer të shtrirë në tre shtete, Gjermani, Italia dhe Hollandë, bënë të ditur të premten përmes një komunikate, Europol dhe Eurojust, dy organizmat europianë të cilët mbështetën hetimet dhe koordinuan ndërhyrjen.
Gjatë aksionit u arrestuan 35 të dyshuar dhe u kontrolluan 51 mjedise në vendet e përfshira. Më shumë se 600 policë u përfshinë në operacion. Rrjeti kriminal dyshohet se është përgjegjës për trafikun në shkallë të gjerë të kokainës dhe kanabisit nga Amerika e Jugut në Evropë dhe shpërndarjen e saj të mëtejshme në të gjithë Bashkimin Evropian. Sipas komunikatës, anëtarët e këtij grupi “njihen edhe për përdorimin e dhunës, duke përfshirë episode torture dhe rrëmbimi me qëllim zhvatjeje”.
Nga të dhënat e hetimit rezulton se “autorët kanë mundur të shfrytëzojnë burime të konsiderueshme financiare që dyshohet se janë marrë nga aktivitete të mëparshme të trafikut të drogës. Ata kishin disa baza logjistike ku ruheshin lëndët narkotike dhe të ardhurat e siguara nga trafiku, e ku mund të takoheshin me njëri tjetrin. Ata kishin në zotërim gjithashtu, një flotë të gjerë automjetesh të pajisura me ndarje të fshehta, të sofistikuara si dhe elefona celularë të pajisur me aplikacione të koduara për mesazhe dhe shërbime të tjera”.
Ky rrjet po ashtu, ka mundur të importojë nga Amerika e Jugut, përgjatë 35 episodeve, 1 ton kokainë dhe 1 ton hashash, në total, në periudhën mars 2020-qershor 2021, nga tregtimi i së cilave, mendohet të jenë gjeneruar të ardhura prej më shumë se 1 miliardë euro. Ndërsa gjatë hetimit, u bë i mundur, sekuestrimi i mbi 1 milion eurove, në cash. Në Gjermani, disa të dyshuar zotëronin një restorant luksoz, një bar dhe një agjenci imobiliare, të cilat, dyshohet, se përdoreshin për të pastruar paratë nga aktivitetet e trafikut të drogës.