Policia e Shtetit arrestoi dy persona, të cilët po transportonin klandestinë. Në fshatin Udënisht, policia ndaloi 15 emigrantë të huaj, të cilët po transportoheshin ilegalisht nga dy shtetas, njëri prej të cilëve drejtonte mjetin në gjendje të dehur. Klandestinët do të dërgoheshin në vendet e Bashkimit Europian kundrejt përfitimit të shumave financiare. Shtetasit e arrestuar janë M.M., 19 vjeç banues në Kamëz dhe P.Gj., 45 vjeç banues në Tiranë.
Të dy këta shtetas, në aksin rrugor Bilisht-Pogradec, po transportonin emigrantët e huaj. Konkretisht, shtetasi M.M., u kap duke transportuar 12 shtetas të huaj ndërsa shtetasi P.Gj., u kap duke drejtuar mjetin i dehur dhe brenda tij ndodheshin 3 shtetas të huaj. Të dy të arrestuarit u kishin premtuar shtetasve të huaj, kalimin dhe transportimin e tyre drejt vendeve të BE-së, kundrejt fitmit prej 500 euro secili.
Ndërkohë, Policia e Shtetit është duke vijuar punën për të vendosur përpara përgjegjësisë ligjore edhe persona të tjerë, të dyshuar si të implikuar në këto ngjarje. Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorive të Rretheve Gjyqësore Korçë e Pogradec për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” si dhe “Drejtimi i mjetit në gjendje të dehur” në ngarkim të shtetasit P.Gj.