Meta flet si shoku i Bashës: “Bojkotoni 30 qershorin”. Meta nxjerr dekret tjetër

Më të fundit


Presidenti Ilir Meta ka shpallur një datë të re të zgjedhjeve vendore 2019 vetëm 3 ditë para 30 qershorit. Në një konferencë për mediat, pas takimeve me partitë politike dhe me kuintin e ambasadorëve, Presidenti Ilir Meta shpalli datën e re të zgjedhjeve vendore 2019. Sipas tij, data e re për mbajtjen e zgjedhjeve do të jetë 13 tetori 2019 dhe jo 30 qershori që është vetëm pas tre ditëve. Meta i është përgjigjur edhe Ramës, duke u shprehur se “unë jam burri i Monikës, por di t’i ndaj çështjet e funksionit me çështjet personale”, ndërsa ka kërkuar nga qytetarët bojkotimin e 30 qershorit.

“Dekreti për datën e re të zgjedhjeve, që është data 13 tetor. Dy arsyet pse kam vendosur këtë datë, sepse është dita më e shpejtë për të organizuar zgjedhjet vendore gjithëpërfshirëse.  Arsyeja e dytë është sepse si e kam nënvizuar edhe në 8 qershor, kur e zhdekretova datën e zgjedhjeve, ka të bëjë me garantimin e vazhdimësisë të integrimit europian, të mos shkëputjet të Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut për çeljen e negociatave. Kemi humbur shumë kohë, por për fat të mirë në axhendën e BE është për të marrë një vendim për çeljen e negociatave në tetor, dhe mbledhja është me 18″, tha Meta.

Kreu i shtetit Ilir Meta tha se e priti kryeministrin Edi Rama në takim dhe se ka qenë i gatshëm në çdo orar për të biseduar me të. Presidenti shprehu keqardhje për reagimin e Ramës por tha se nuk do të humbas qetësinë. Presidenti tha se di ta ndajë anën familjare me atë shtetërore dhe institucionale. “Për mua është tjetër gjë Monika dhe tjetër gjë Republika”, tha Meta, duke thënë se nuk ka asnjë ndikim nga bashkëshortja e tij, kryetare e LSI-së, Monika Kryemadhi e cila bashkë me PD-në i ka bojkotuar zgjedhjet e 30 qershorit. Edhe këtë dekret të ri të presidentit Meta për 13 tetorin, kreu i qeverisë Edi Rama në një reagim të menjëhershëm që bëri e quajti nul këtë dekret dhe të “nxjerrë nga revolucioni imagjinar i filxhanit”, duke ju referuar Kryemadhit.

“Synoja të dekurajoja përshkallëzimin e tensionit, kam që në 10 qershor që kam pritur në radhë të parë kryeministrin për të diskutuar për këtë mundësi që duhet t’i jepnim partive të opozitë pjesëmarrjen në zgjedhjet gjithëpërfshirëse. Unë nuk jam këtu për të plotësuar tekat e opozitës, po jam këtu për të bërë maksimumi që të evitojmë një konflikt nga të gjitha anët. Dje në mbrëmje u detyrova që t’i kërkoja zyrtarisht dhe formalisht Ramës dhe Bashës një takim. Deri më tani për të marrë vendimin e një date të re ka qenë mungesa e reagimit nga ana e Ramës. Përgjigjja e tij ka qenë se ishte shumë i zënë me fushatë, por unë isha i gatshëm në çdo kohë për të diskutuar se për mua ka qenë më e rëndësishme paqja e vendit, imazhi i Shqipërisë, e ardhmja e vendit. Më vjen keq për reagimin e tij, por nuk do të humbasë asnjëherë qetësinë. Nuk e kam për turp që jam burri i Monikës dhe Monikën e kam gjetur në partinë që drejton sot Rama, ai e di më mirë se kushto që di të ndajë anën personale, shoqërore dhe familjare me anën shtetërore dhe institucionale, për mua është tjetër gjë Monika dhe tjetër gjë Republika”, tha Meta.

Sa i përket asaj se çfarë do të bëjë kryeministri Edi Rama, nëse do të këmbëngulë për mbajtjen e zgjedhjeve vendore më 30 qershor, apo nëse do të vendosë që ato të zhvillohen më 13 tetor, siç Meta firmosi në dekret këtë të enjte, Presidenti tha se unë nuk do të them siç thotë opozita “Rama ik”, por do të them “Edi reflekto”.

“Axhenda ime nuk është as axhenda e doktorit, sepse unë nuk i them dot Saliu. E dini që e kam pikë të dobët, as axhenda e Lulit dhe e Monës. Axhenda ime me kryeministrin nuk është ‘Rama ik’, por ‘Rama reflekto’. I kam kërkuar Ramës, prej 6 vitesh për të qenë kryeministër i gjithë shqiptarëve dhe në drekën e fundit që duhet të bëjë dallimin mjaft të rëndësishëm midis të qenurit kryetar i PS-së dhe të qenurit kryeministër. Ai është edhe kryeministër edhe i atyre që protestojnë, janë edhe ata taksapagues të kësaj republike dhe të kësaj qeverie dhe ai nuk duhet ta harrojë. Nëse ai e bën këtë dallim mendoj që do jetë shumë mirë për të gjithë dhe përpara do të kemi një të diel të mirë dhe shpresëdhënëse për të gjithë”, tha Meta.

Po ashtu, Presidenti Meta tha se jam gati të shkoj edhe në Hagë për vendimin e marrë dhe iu bashkua opozitës për bojkotimin e 30 qershorit. “Jam gati të marr përgjegjësinë time përpara gjithë shqiptarëve. I gatshëm të përgjigjem për këtë akt para çdo gjykate që ka juridiksion, përfshi edhe gjykatën e Hagës. Është vendim i mrekullueshëm që shqiptarët të kenë një të diel pozitive, të qetësohen dhe ne ta vazhdojmë rrugën e nisur në dhjetor ‘90.”, tha Meta, duke nënkuptuar bojkotimin e zgjedhjeve, asip sipas tij, zgjedhjet lokale janë më 13 tetor. Por, a ka marrë garancinë e liderit demokrat Lulzim Basha se ai do të jetë në zgjedhjet e 13 tetorit që Meta dekretoi këtë të enjte? Presidenti tha se nuk mund të detyrojë askënd të marrë pjesë pa vullnetin e tij në zgjedhje. Ai tha se detyra e tij si President është t’u japë mundësinë të gjitha palëve për të reflektuar për tu bërë pjesë e procesit. Meta tha se duhet të heqin dorë nga axhendat e ngushta maksimaliste, secila palë, dhe duke folur për një objektiv kombëtar i partive dhe shqiptarëve, anëtarësimi në BE, të gjithë sipas tij duhet të sillen në mënyrë evropiane për të marrë çeljen e negociatave më 18 tetor, 3-4 ditë pas zgjedhjeve vendore. Ai tha se nuk do të ketë asnjë bashki pa kandidat alternativë.

Por pyetjes nëse edhe në tetor opozita nuk do marrë pjesë sërish në zgjedhje, a do ketë një dekret të tretë, Meta i është përgjigjur: “E treta, e vërteta. Unë besoj se të gjitha palët do të marrin përgjegjësinë. Unë e mora përgjegjësinë time. Unë mendoj se ka nevojë për reflektim nga të gjithë, por nga kryeministri në veçanti. Po të keni parasysh edhe Ramiz Alia, në vitin 1991 e shtyu datën e zgjedhjeve që t’i krijonte mundësinë Partisë Demokratike që të merrte pjesë në zgjedhje”.



Skip to toolbar