Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në Vlorë e cilëson akt kriminal atentatin me tritol ndaj prokurorit Albert Kuliçi. Përmes një deklarate për mediat, prokuroria e Vlorës thekson se ky atentat është një sulm drejtuar prokurorit për shkak të funksionit dhe detyrës së tij. Sipas prokurorisë së Vlorës sulme të tilla intimidojnë drejtësinë në luftën kundër krimit.
“Ky është një akt kriminal, i papranueshëm me sistemin tonë të drejtësisë, parimet e Shtetit të së Drejtës, vlerat dhe parimet shoqërore, që synon të cënojë detyrën e tij si prokuror dhe gjithashtu të intimidojë në luftën kundër krimit. Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Vlorë, dënon rëndë akte të tilla kriminale, të cilat në thelb dëmtojnë rendin dhe sigurinë juridike.
Duke mbështetur kolegun tonë në vijim, trupa e Prokurorëve të kësaj prokurorie, në respektim të ligjit dhe parimeve Kushtetuese, do të jetë gjithmonë e pa ndikuar në luftën pa kompromis kundër krimit”, thekson prokuroria e Vlorës.