Koncesioni i sterilizimit paditet te SPAK

AKTUALITET


Menjëherë me krijimin e Prokurorisë së Posaçme kundër krimit dhe korrupsionit është depozituar të hënën kallëzimi i parë penal për koncesionin e sterilizimit për të cilin kërkohen hetime për zyrtarë të lartë të administratës shtetërore, kryesisht ministrisë së Shëndetësisë përfshi këtu edhe ish ministrin Ilir Beqja. Kallëzimi është bërë nga Nisma Thurje e cila kërkon nga SPAK hetimin dhe nxjerrjen para përgjegjësisë të zyrtarëve të lartë, të cilët sipas tyre kanë abuzuar me detyrën dhe kanë favorizuar privatin përmes këtij koncesioni duke shkaktuar dëm ekonomik për shtetin. Megjithëse nisma Thurje nuk ka një faturë financiare se sa është dëmi ekonomik i shkaktuar nga koncesioni, pret që SPAK të bëjë hetimet, pasi pretendon se për këtë koncesion janë abuzuar me taksat e qytetarëve shqiptarë.

“Ka elementë që nuk shkojnë në këtë kontratë. Ne i kemi kërkuar Prokurorisë së Posaçme që kur jemi përpara një vepre penale të bëjmë një kallëzim në Prokurori. Megjithatë ne i kërkojmë SPAK të hetojë që nga Beqja deri tek të gjithë zyrtarët e tjerë pasi ka arsye të mjaftueshme për të besuar që kanë abuzuar me buxhetin e shtetit. Në 30 vjet janë dënuar vetëm qytetarët shqiptarë. Ne besojmë se institucionet e reja të drejtësisë do i japin fund pandëshkueshmërisë. Ne kemi evidentuar disa gjëra. Ne ngremë pyetjen pse është i nevojshëm ky koncesion. Ne ngremë pyetjen pse një çmim kaq i lartë. Dhe pse është dhënë me një koncesion 10-vjeçar që kalon edhe mandatin e qeverisë. Një kontratë ka detyrime dhe përgjegjësi për të dy palët. KLSH thotë se në këtë kontratë ka penalitete vetëm për shtetin shqiptar. KLSH ka vlerësuar se në spitalin e Durrësit rreth 7 milion lekë kanë shkuar ekstra për këtë koncesion. KLSH ka bërë vlerësime të pjesshme. Ne besojmë që SPAK i ka kapacitetet ligjorë për të mos na zhgënjyer. Mjafton të shohë këtë dokument që ne kemi dorëzuar për të ngritur dyshime. Ne nuk kemi ndërmend të presim që këta zyrtarë të korruptuar të dorëzohen vetëm. Kemi 30 vjet që shohim se si arrestohet qytetarët ndërsa pushtetarët vetëm pasurohen. Ka dyshime për një dëm të konsiderueshëm. Gjëja më e rëndësishme janë kostot.  Ajo që kemi parë është një kërkesë nga ana e institucioneve për t’i thënë mjekëve mos bëni më operacione”, tha përfaqësuesi i “Thurjes”.


Të pyetur se sa mund të jetë dëmi ekonomik i shkaktuar nga ky koncesion, përfaqësuesit e nismës Thurja nuk e kanë një faturë financiare por kanë dyshime për mënyrën sesi është bërë kontrata.

“KLSH ka bërë hetime, por ne i kërkojmë SPAK ta hetojë nga fillimi deri në fund. Ne kemi dyshime për subjektet e përfshira aty, për mënyrën si është bërë kontrata. Besojmë se SPAK ka gjithë kapacitetin ligjor për të mos na zhgënjyer dhe për të arritur të na sqarojë. SPAK ka më shumë mundësi se Prokuroria e Tiranës për të zbardhur këtë çështje. Ka dyshime për një dëm të konsiderueshëm, pasi kostot janë shumë më të larta se ç’duhet të ishin. Prokuroria duhet të hetojë dhe të nxjerrë pastaj dëmin”, është shprehur përfaqësuesi i nismës Thurje.

Tani mbetet të shohim se si do ta kalojë këtë provë të parë prokuroria e Posaçme kundër krimit dhe korrupsionit në nivelet e larta.




Skip to toolbar