Turneu “Të ndërtojmë së bashku”, Italia triumfon në “Air Albania”

AKTUALITET


Stadiumi i ri në kryeqytet, ‘Air Albania’, u kthye sonte në një arenë për bamirësi. Tre ndeshje nga gjysmë ore secila, mes tyre dy gjysmë finale dhe një finale, kanë nxjerrë fituese kombëtaren italiane. Ndeshja e parë e përcaktuar me short ishte Shqipëri-Itali, ndërsa në 30 minutëshin e dytë u përballën Greqia me Turqinë.

Në ndeshjen e parë, Shqipëria ka humbur përballë Italisë me skuadrën e kaltër që ka kaluar në finalen e turneut të yjeve të viteve 2000. Skuadra e drejtuar nga De Biazi, ka kaluar në avantazh me një gol fantastik të Espositos, që mposhti Strakoshën me një parabolë mjaft të bukur. Pak sekonda nga fundi i ndeshjes, ka shënuar Erjon Bogdani barazimin e kuqezinjve, por italianët protestojnë sepse pretendonin përfundimin e takimit. Në këtë takim regjistrohen dy traversa, ajo e tronditur nga Bushi dhe ajo e Perotës, si dhe shumë dëmtime me lojtarët që kërkuan ndërrimet menjëherë pas fillimit të miqësores.

Italia u kualifikua pas penalltive me Shqipërinë, ndërkohë që Greqia mundi Turqinë në ndeshjen e parë në këtë turne.

Italia ka mposhtur dhe Greqinë në finalen e turneut bamirës “Të ndërtojmë së bashku”, të ardhurat e të cilit do të shkojnë në ndihmë të familjeve dhe viktimave të tërmetit fatkeq të 26 nëntorit. Në takimin e fundit, të kaltërtit kanë thyer Greqinë falë një autogoli të ardhur pas harkimit të Zakardos. Interesant ishte fakti se këtë sfidë e gjykoi një treshe femrash, me kryesore Emanuela Rustën. Kështu, Italia e drejtuar nga De Biazi çon në shtëpi kupën, ndërsa të gjithë pjesëmarrësit respektin e shqiptarëve.



Skip to toolbar