Kreu i Këshillit të Europës, Donald Tusk ka dhënë dritën jeshile për Maqedoninë e Veriut, duke deklaruar se ajo i ka bërë detyrat dhe tashmë është radha e Europës për të thënë fjalën e saj. “Republika e Maqedonisë së Veriut e bëri të veten, tani radhën e ka Evropa që të përfundoj pjesën e saj”, u shpreh kreu i Këshillit të Evropës, Donald Tusk gjatë qëndrimit të tij në Shkup, i cili me këtë rast përkujtoi Marrëveshjen e Prespës, ballafaqimin me krizën e emigrantëve dhe tejkalimin e krizës politike në vend.
“Mbetem në qëndrimin që kam shprehur edhe në qershor, se vendi i juaj gjatë dy viteve të fundit bëri gjithçka që Europa priste nga ju për t’i filluar negociatat, në pajtim me rekomandimet e Komisionit Evropian. Kjo është edhe më tej bindja ime, vendi i juaj bëri çmos… Shkupi është vendi më i mirë nga ku dua të apeloj deri te liderët e BE-së, tani ju duhet ta përmbushni pjesën tuaj, sepse Republika e Maqedonisë së Veriut tanimë ka mbaruar pjesën e saj”, tha Tusk.
Kryetari i Këshillit Europian Donald Tusk aktualisht në një vizitë zyrtare në Shkup është takuar me kreun e shtetit Stevo Pendarovski. Të dy kanë biseduar për gjendjen e përgjithshme në Maqedoninë e Veriut dhe rajon, si dhe për aspiratat e shtetit për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Presidenti Pendarovski theksoi se vendi në dy vitet e fundit ka marrë vendime të vështira për çështje shumë të ndjeshme, përfshi edhe Marrëveshjen e Prespës me Republikën e Greqisë dhe Marrëveshjen për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim me Republikën e Bullgarisë.
Mandati i presidentit aktual të Këshillit Evropian skadon më 1 dhjetor, ndërsa në vend të tij do të jetë kryeministri i Belgjikës, Sharl Mishel. Presidenti i Këshillit të Europës, Donald Tusk, do të vijë të martën edhe në Tiranë, ndërsa BE do duhet të marrë një vendim për çështjen e negociatave me Shqipërinë. Tusk ka mbërritur në Tiranë dhe në orën 15:00 do të pritet nga kryeministri Edi Rama. Sipas protokollit, pas takimit me kryeministrin, në orën 15:35, kreu i KiE do të mbajë edhe një konferencë për mediat.
Vizita e kreut të KiE në Tiranë vjen vetëm një muaj para vendimit të Këshillit Evropian për çeljen ose jo të negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Evropian. Në 18 tetor, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut presin përgjigje përfundimtare nga Europa e Bashkuar për negociatat me BE-në.
Në një intervistë të mëhershme për të përditshmen malazeze “Vijesti”, komisioneri europian për zgjerimin në largim, Johanes Hahn, shprehet se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut e meritojnë hapjen e negociatave të anëtarësimit. Për Shqipërinë, Hahn vlerësoi veçanërisht përparimin që është bërë me Reformën në Drejtësi, të cilën sipas tij, Brukseli duhet ta shpërblejë. Ndërsa për Maqedoninë e Veriut, Hahn vlerëson marrëveshjen e Prespës që u dha fund mosmarrëveshjeve prej disa dekadash me Greqinë.