Shehi: Opozita, platformë me 5 kushte (që zor se pranohen nga Rama)

AKTUALITET


Kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi, aleat i Bashës ka deklaruar të martën se platforma e opozitës për të dalë nga kriza përmban 5 pika dhe një marrëveshje me kushte me Ramën, jo si kryeministër, por si kryetar i PS-së.

Në një intervistë për Report TV, Shehi tha se kërkesat e panegociueshme të opozitës janë: Krijimi i një qeverie tranzitore, ndryshime në Kodin Zgjedhor, Zgjedhje të Lira e të Ndershme, ndryshime në Kushtetutë dhe çlirimi i mediave. Por duket se një tjetër pikë e platformës së PD-së do të jetë edhe reforma në drejtësi, për të cilën Rama në mënyrë kategorike e ka përjashtuar nga bisedimet. Kryeministri ka thënë se reforma në drejtësi vetëm zbatohet, nuk diskutohet.


Sipas Shehit këto janë pikat të cilat opozita do t’i prezantojë maxhorancës përmes një platforme të cilën e citoi edhe Basha nga Shkodra, ku zhvilloi takime me strukturat drejtuese të PD dhe me ish kryetaren e bashkisë, Voltana Ademi. Kushti sipas Shehit është që këto pika të negociohen në bllok me maxhorancën dhe jo të shkëputura nga njëra-tjetra.

“Po përgatisim një platformë për të hyrë në bisedime. Duhen të bëhen ndryshime në kodin zgjedhor. Qëllimi i platformës është krijimi i një qeverie tranzitore dhe zgjedhje të lira. Disa ndryshime në rrafshin Kushtetues, t’i balancojmë këto institucione. E dyta, brenda sistemit të Drejtësisë. Ndryshimi për Kodin Zgjedhor. Kodit të vjetër i kaloi koha. Nuk është vetëm ky çelësi i artë që mund të zgjidhë krizën, por është vetëm një instrument. Ne jemi gati të negociojmë, por jo vetëm për këtë çështje, por për të gjitha  pikat në bllok. Dekriminalizimi i politikës dhe institucioneve, është një çështje tjetër dhe “çlirimi i mediave”. Kjo platformë të çon në zgjedhje të parakohshme me qeveri tranzitore”, tha Shehi.

Aleati i Bashës bëri gjithashtu të ditur se nuk do të ketë asnjë protestë të opozitës para datës 18 tetor, kur Këshilli i Europës do të vendosë për çeljen e negociatave për Shqipërinë. Kushtet e opozitës vijojnë të jenë ekstreme për të cilat vështirë se do të gjejë mbështetjen e maxhorancës. Më herët kryeministri ka pranuar bisedime për reformën zgjedhore, ndërsa e ka theksuar disa herë se nuk ka zgjedhje të parakohshme, sikurse ka theksuar se nuk pranon bisedime për reformën në drejtësi. Ndaj dhe platforma e opozitës pritet të ndezë dhe njëherë debate në skenën e politikës pasi me këto kërkesa, zgjidhja duket e largët./realstory.al




Skip to toolbar