Twitter bllokon politikën: Asnjë mesazh me pagesë

BOTA


Rrjeti social Twiter ka vendosur të bllokojë çdo mesazh, spot apo reklamim që ka të bëjë me politikën, duke sfiduar kështu Facebook, i cili mori disa masa për forcimin e politikave, por që nuk i ndaloi reklamat.

Drejtori i Përgjithshëm i Twitter, Jack Dorsey deklaroi se mesazhet politike në mediat sociale duhet të “fitohen”, jo “të blihen”. “Nuk është e besueshme për ne të themi: ‘Ne po punojmë shumë për t’i ndaluar njerëzit të luajnë me sistemet tona për të përhapur informacion mashtrues, por nëse dikush na paguan për të targetuar njerëz me forcë për të parë reklamat e tyre politike, ata mund të thonë ç’të duan’”, tha Dorsey.

Vendimi vjen një vit para zgjedhjeve presidenciale amerikane të 3 nëntorit 2020. Reklamimi në internet sjell me vete dhe rreziqe politike në momentin që përdoret për të influencuar votën. Ajo që ndodhi me zgjedhjet presidenciale amerikane të 2016-ës, por dhe në fushatat elektorale në shumë vende europiane dhe në botën perëndimore, prej kohësh kanë ngritur problemin për rolin e rrjeteve sociale në proceset elektorale. Pas zgjedhjeve presidenciale amerikane të 2016-ës, administrator i deleguar i Twitter kishte vendosur një rregull, duke u kërkuar ndjekësve që të verifikonin identitetin e tyre si dhe të bënin publike bankën e të dhënave të spoteve politike dhe elektorale në platformë. Kohët e fundit ai urdhëroi dhe ndalimin e reklamave të sponsorizuara nga organizma të mbështetur nga qeveritë.

Dorsey e bëri njoftimin vetëm disa minuta para se Facebook të njoftonte të ardhurat e tremujorit të tretë. Ai i vendosi drejtuesit e Facebook në një pozitë të vështirë, pasi ata u përpoqën të shpjegojnë anën e tyre të vendimit me pak paralajmërim. Masa e Twitter, e cila hyn në fuqi më 22 nëntor e nxeh disi situatën.

Deri më tani, Facebook ka rezistuar ndaj kërkesave të kritikëve, politikanëve, madje edhe të disa prej punonjësve të saj për të verifikuar reklamat politike. Për Twitter, masa nuk ka gjasa të bëjë shumë ndryshime financiare. Ronald Josey, një analist në JMP Securities, tha se reklamat politike në Twitter llogariten vetëm disa milion dollarë, më së shumti, gjatë zgjedhjeve afatmesme – një pjesë relativisht e vogël e të ardhurave vjetore të kompanisë, rreth 3 milionë USD.

“Shpërblimi këtu është shumë më i madh sesa rreziku”, tha Josey. “Kjo është arsyeja pse Twitter po largohet prej saj”. Facebook nuk është shumë i ndryshëm. Në një telefonatë për të ardhurat të Mërkurën, Mark Zuckerberg tha se reklamat nga politikanët do të marrin vetëm 0,5% të të ardhurave të kompanisë së tij vitin e ardhshëm, ndërsa ai mbrojti vendimin për të “mbrojtur fjalimin politik” – edhe nëse reklamat politike nuk sjellin shumë të holla.

“Në një demokraci, unë nuk mendoj se është e drejtë që kompanitë private të censurojnë politikanët ose lajmet”, tha Zuckerberg gjatë telefonatës. Ai kundërshtoi gjithashtu idenë se vendimi i Facebook për të vazhduar pranimin e reklamave politike është i nxitur nga të ardhurat ose një mënyrë për të qetësuar konservatorët, të cilët janë ankuar se rrjeti social është i njëanshëm ndaj tyre. “Ne besojmë thellësisht se fjalimi politik është i rëndësishëm dhe kjo është ajo që na shtyn”, tha Zuckerberg. Sa për Twitter, analistët thanë që shërbimi nuk ishte kurrë efektiv për reklamuesit. Një numër postesh politike, kryesisht të papaguara, e bëri shërbimin tepër toksik për shumë marka kryesore. “Klientët po qëndrojnë larg për shkak të politikës së Twitter”, shpjegoi Victor Anthony, një analist në Aegis Capital, në një shënim për investitorët javën e kaluar. Reklamuesit zakonisht shqetësohen për ato që shfaqen pranë mesazheve të tyre të marketingut. Markat shpesh kanë lista të subjekteve që nuk i duan reklamat e tyre pranë për shkak të rrezikut që mund t’i largojë blerësit. Jasmine Enberg, një analist me eMarketer, vëren se edhe me një ndalim të reklamave politike, Twitter është akoma i mbushur me informacion mashtrues. “Duke pasur parasysh natyrën e platformës, njerëzit, botuesit dhe politikanët do të përdorin ende Twitter për të diskutuar politikisht në mënyrë organike, do të thotë se nuk do ta zgjidhë plotësisht problemin e dezinformatave”, tha ajo.



Skip to toolbar