Duka konfirmon: Me Francën në Arena Kombëtare

AKTUALITET


Pas zërave se UEFA nuk do të liçensojë stadiumin e ri kombëtar për ndeshjen Shqipëri-Francë, Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit Armand Duka, konfirmon të kundërtën. Në një intervsitë për News 24, Duka tregoi se vetëm forcat madhore që nuk varen nga njeriu, do të ndalin inaugurimin e stadiumit. “Punohet me intensitet dhe do të vazhdohet të punohet deri më datë 17 nëntor që ky stadium të inaugurohet kundër Francës, po i japim dorën e fundit përgatitjeve. Kanë ardhur përfaqësues nga UEFA, kameramanë dhe media nga Franca dhe ne kemi mbajtur shënim të gjitha vërejtjet që kanë pasur dhe po i riparojmë. Gazetarët do të vendosen në katin e parë ku është dukur më e përshtatshëm për ta. Nuk ka asnjë dyshim që ky stadium do të inaugurohet ndaj Francës, përveç forcave madhore që nuk varen nga njerëzit”, tha Duka.

Por a do të jetë Emanuel Macron në Shqipëri për të ndjekur këtë ndeshje? Presidenti i FSHF-së, Armand Duka nuk jep një përgjigje të prerë për këtë  duke e kaluar me batuta. “Unë jam në dijeni që Macron sponsorizon ekipin kombëtar dhe ne kemi Macron për ekipin tonë, ndërsa për atë Macronin politik e di më mirë Rama sesa ne”, shprehet Duka. Para datës 17 nëntor, “Arena Kombëtare” do të ketë dhe emrin e ri të tij, që do të jetë ai i një biznesi që do të sponsorizojë këtë stadium. “Ne jemi në proces dhe kjo do të përfundohet para inaugurimit. Janë disa oferta për emrin dhe uroj të arrijmë në një përfundim të kënaqshëm para datës 17 nëntor. Tribunat do të kenë emra personazhesh sportive apo historik të Shqipërisë”, tha kreu i FSHF.


Në fund të intervistës, Presidenti i Federatës shprehet se do ta kënaqnin gjashtë pikë ndaj Andorrës dhe Francës, ndërkohë konfirmon se Edy Reja do të jetë trajner i kombëtares edhe pas eliminatoreve. “Jam i kënaqur vetëm me 6 pikë, ndërsa më 4 pikë më pak i kënaqur, ndërsa me 3 pikë i mërzitur. Duhet të provojmë gjithçka pasi nuk kemi asnjë gjë për të humbur. E dimë që Franca është kampione bote, por ne do të provojmë ta nisin me fitore stadiumin e ri. Besoj se do të jetë në krye të skuadrës. Nuk ka dyshime nga ana jonë, por duhet firmosur kontrata për ta bërë zyrtare”, përfundoi Duka.




Skip to toolbar