Shqiptarja nga Durrësi Valbona Berisha ra pre e videove të ISIS në internet ndërsa rriste tre fëmijët e saj në Itali. Kështu ndodhi që ajo u indoktrinua me propagandën e ISIS dhe u dashurua me rekrutuesin e saj, maqedonas. Sipas gazetës italiane, Corriere Della Sera Valbona Berisha vendosi të largohet nga familja duke lënë burrin dhe dy vajzat e moshës 11 dhe 10 vjeç, dhe të transferohet në Siri duke marrë me vete fëmijën më të vogël, 6 vjeç, Alvin. Kjo është rruga e radikalizmit të Valbona Berishës, 34 vjeç, një grua shqiptare që banonte në provincën e Leço.
Vendosi martesën në internet
Hetimi i Karabinierëve Ros, i koordinuar nga zëvendësprokurorin përshkruan me hapa rrugën e radikalizmit të Valbona Berishës. Sipas të dhënave Valbona nuk kishte marrëdhënie të mira me bashkëshortin me profesion murator dhe 13 vjet më i vjetër se ajo. Nisur nga kjo Valbona nisi të studionte një mënyrë të caktuar si ekstreme të Kuranit, duke marrë më shumë leksione nga interneti nga imamë të ndryshëm dhe njerëz ekstremistë. Analiza e materialit kompjuterik të gjetur nga karabinierët dhe që i është nënshtruar konfiskimit bëri të mundur zbulimin e një sasie të konsiderueshme të videove të predikuesve ekstremistë që nxisnin Xhihadin. Më në fund, gruaja vendosi të largohej për në Siri me djalin e saj të vogël dhe të martohej me indoktrinatorin e saj dhe të luftonte përkrah tij.
Bileta ajrore
Nisja e saj drejt Sirisë është bërë në Dhjetor të vitit 2014. Gruaja atëherë 32 vjeç, bëri kontakte në internet me një terrorist të mirënjohur maqedonas – Selimoviç Mendus, i cili më vonë vdiq në luftime në shkurt 2015. Sipas Corrierre Della Sera ishte ai që ia bleu biletën ajrore në një agjensi udhëtimi në Kosovë, për Valbonën dhe djalin e saj për në aeroportin e Stambollit. Hetuesit gjithashtu gjurmuan itinerarin e ndjekur nga gruaja për të arritur në Siri. Pasi mbërriti në Turqi, ajo u bashkua me një familje nga Bosnja, e cila gjithashtu u la për të shkuar në zonën e luftës. Ishte burri i saj që raportoi zhdukjen e gruas dhe të birit tek karabinierët.
“E veshur si një ninxha”
Sapo mbërriti në Siri, Valbona Berisha filloi stërvitjen, ndërsa djalin e saj të cilin e kishte rrethprerë, i ndërroi emrin në Jussuf, dhe e futi dhe atë në stërbitje për të mësuar “luftën dorë më dorë”, për ta bërë atë një “dëshmor të ardhshëm”. Në kompjuterët e lënë në Itali nga Berisha, janë gjetur video në disa prej të cilave shihen fëmijë duke stërvitur me kallashnikov. Celularin ia kishte dhënë kunati dhe në të ishte instaluar GPS, që lejoi hetuesit ta “ndiqnin” atë gjatë udhëtimit të saj në Siri. Fëmija, siç del nga përgjimet, arriti të bisedojë nja dy herë me babanë e tij në telefon, dhe e përshkroi nënën e tij si një luftëtare: “Ajo është e veshur dhe duket si ninxha”, thotë Alvin, duke menduar qartë personazhet vizatimorë të animuar. Fëmija i tha babait të tij se ai dëshironte të kthehej në shtëpi dhe të shkonte në shkollë. “Këtu kam frikë sepse aeroplanët lëshojnë bomba”, thotë fëmija (Alvin). “Unë i thashë asaj: le të shkojmë tek babi sepse duhet të shkoj në shkollë … Por ajo nuk do të më lejojë”, ankohet ai përmes telefonit.