Meta tenton bllokimin e Kushtetueses: Kam pezulluar procesin e përzgjedhjes

AKTUALITET


Kreu i shtetit, Ilir Meta ka pezulluar procesin e përzgjedhjes për anëtarin e radhës të Gjykatës Kushtetuese, dy ditë para përfundimit të afatit për përzgjedhjen e anëtarit të radhës të Gjykatës Kushtetuese, duke pretenduar se fillimisht duhet të zgjedhë Kuvendi vakancën e dytë, vendim që sipas tij e ka ndërmarrë për të ruajtur kushtetutshmërinë e procesit.

Këtë vendim, Presidenti Meta e ka bërë publik pikërisht më 7 nëntor, ditën kur mbaronte edhe afati për përzgjedhjen e një emri. Përmes një kërkese që i ka dërguar KED dhe Kuvendi të Shqipërisë, Meta i kërkon edhe bashkëpunim, që ta kalojë sa më shpejt emrin për vakancën e shpallur. “Pikërisht për ta ruajtur kushtetutshmërinë e këtij procesi dhe me qëllim që të ketë mundësinë që të shprehet për emërimin e gjyqtarit kushtetues, Presidenti i Republikës ka vendosur paraprakisht të pezullojë procesin administrativ të shqyrtimit të listës dhe praktikës dokumentare për plotësimin e vendit vakant në Gjykatën Kushtetuese, vakancë e plotë, e shpallur nga Presidenti i Republikës me dekretin nr.11133, datë 04.03.2019, përcjellë nga KED me shkresë nr. 553 prot., datë 08.10.2019, deri në zgjedhjen e anëtarin e dytë të Gjykatës Kushtetuese nga Kuvendi i Shqipërisë apo deri në përfundimin e afatit kushtetues, brenda të cilit Kuvendi i Shqipërisë do të shprehet për zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese për plotësimin e dy vakancave që i përkasin atij si organ emërtese dhe që, sipas përllogaritjes, ky afat përmbushet në datë 13 nëntor 2019”, është shprehur Meta në letrën dërguar Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.


Ky hap bllokues i Metës vjen pikërisht pas dekretimit të prokurorit Besnik Muçi, si anëtar të Gjykatës Kushtetuese, për të cilin Meta shprehej se e kishte zgjedhur në një afat të shkurt për t’i hapur rrugë zhbllokimit të këtij institucioni kushtetues. Në argumentet e përdorura për pezullimin, Meta shprehet se sipas ligjit, anëtarin e parë e zgjedh Presidenti, të dytin Kuvendi dhe të tregon Gjykata e Lartë. Pra sipas tij, nuk mund të zgjedhë dy anëtarë njëherësh pa zgjedhur Kuvendi të dytin, pasi cenon të drejtën e Kuvendit për të vendosur, duke qenë se lista e kandidatëve është e njëjtë për të dy institucionet.

Megjithatë, pezullimi i procesit nga Meta nuk dihet nëse do të kihet parasysh nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, që ka vendosur që të marrë në shqyrtim pikërisht sot (të enjten) kërkesën e Presidentit të Republikës, por që ende nuk ka dalë në një vendim zyrtar. Nëse kjo kërkesë e Metës rrëzohet, atëherë automatikisht brenda 30 ditëve nga momenti që Meta ka marrë në dorë listën e kandidatëve, zgjidhet si anëtar i Gjykatës Kushtetuese kandidati i renditur i pari me më shumë pikë.

Pikërisht për të shkaktuar një zvarritje të tillë, Meta ka ngritur pretendime se dosja për kandidatët nuk është e plotë, pasi mungon vendimi i kolegjit të KED për njoftimin e Presidentit, pasi një vendim i tillë është firmosur vetëm nga Kryetari i KED. Prandaj, kreu i shteti i ka kërkuar KED edhe “plotësimin e praktikës dokumentare dhe dërgimin brenda 5 (pesë) ditëve të kopjes së dokumentacionit të administruar e të shqyrtuar nga KED-ja që përmban dosja e kandidimit e secilit prej 4 (katër) kandidatëve të lejuar dhe të listuar nga KED-ja për plotësimin e vakancës së shpallur nga Presidenti me dekretin nr.11133, datë 04.03.2019, me qëllim vijimin e shqyrtimit”. Me këtë kërkesë, Meta duket se i jep kohë vetes që afati të mos digjet brenda ditës së sotme, kur plotësohet afati 30 ditor që Presidenti të shprehet për kandidatin e radhës. Madje, ai ka kërkuar edhe nga Kuvendi që të vlerësojë mundësinë për të përfshirë për shqyrtim në seancë plenare, brenda një kohe sa më të shpejtë, zgjedhjen e anëtarit të dytë të Gjykatës Kushtetuese, afat që aktualisht përfundon më 13 nëntor. / Realstory.al/




Skip to toolbar