U dënua për dekonspirim, kapet ish-speciali: S’kam bukë, vajzën e gruan i kam të sëmura

AKTUALITET


Ish efektivi i FNSH, i cili u arrestua dy vite më parë për dekonspirim të operacioneve policore kundër kanabisit, por që më pas u la i lirë nga gjykata, është arrestuar sërish, pasi në qershor të këtij viti është dënuar me 22 muaj burg për “shpërdorim detyre. Bëhet fjalë për shoferin e FNSH, Ardian Loci, i cili gjatë masës së sigurisë në shkurt të 2017, u shfaq i rënduar psikologjikisht, duke qarë dhe deklaruar se do të vriste veten, pasi akuzat ndaj tij ishin shpifje.

Arrestimi i tij pas vendimit të formës së prerë është kryer nga policia e Shkodrës, e cila deklaroi mëngjesin e së martës se ka vënë në pranga 48-vjeçarin, pasi Gjykata e Apelit Shkodër, me vendim  të datës 21 qershor 2019 e ka dënuar me 1 vit e 10 muaj burg, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Sipas vendimit të gjykatës, ai akuzohet se ka njoftuar kultivuesit e kanabisit, duke dekonspiruar operacionet policore. Në shkurt 2017, ai është arrestuar bashkë me 17 persona të tjerë gjatë operacionit të koduar “Early Spring”. Sipas policisë, ky operacion ka zgjatur për një periudhë  10 mujore, ku ka qenë i përqendruar në dokumentimin dhe goditjen e aktivitetit kriminal të kultivimit të bimëve narkotike.

Ardian Loci ishte me detyre shofer në FNSH. Në seancën për vlerësimin e masës së sigurimit, ai është paraqitur duke qarë. Përpara trupit gjykues ai ka thënë se ka gruan dhe vajzën e sëmurë. Ai është shprehur se e ndien veten shumë të rënduar dhe se akuza janë shpifje ndaj tij. Më tej në një moment në sallë ka thënë “do vras veten, nuk kam as bukë me ngrënë”.

 “Kam 21 vite shofer ne FNSH. I kam shërbyer shtetit me zemër e me mendje. Kam gruan të sëmurë dhe vajzën e sëmurë, po ashtu me sëmundje të keqe në kokë. Kam vajzën tjetër te vogël qe s’ka kush ma çon në shtëpi. S’kam marrë asnjë shpërblim. Kam shtëpinë pa pllaka. E ndjej veten shumë të renduar aq sa të vras veten. Janë akuza të shpifura. S’kam bukë në shtëpi. Edhe një shpërblim që mora, kam shlyer borxhet dhe energjinë. S’kam pasur lekë t’i paguaj vajzës ilaçet. Nuk i përkas asaj kategorie. I kam çuar një shoku një thes miell se s’kishte me çfarë e merrte dhe i thashë mos më thuaj më ashtu se kushedi si merret. ‘Në rregull’ më tha. Si qenka, unë kam folur me një në lagje. Kam qenë në shërbim më përpara dhe sa shkova në shtëpi duke ngrënë bukë më arrestuan. Jam shumë i zhgënjyer me këtë që më është bërë. Më falni për shqetësimin” tha Ardian Loci në seancën për masën e sigurisë dy vite më parë ku u arrestua për dekonspirim operacionesh. Dy vite më vonë, rezulton se ai është dënuar për këtë akuzë dhe tashmë i duhet të vuajë dënimin.



Skip to toolbar