Portieri i Partizanit Aldo Teqja u hodh të shtunën nga kati i gjashtë i pallatit ku jetonte për shkak të grindjes me të dashurën, por fatmirësisht futbollisti është jashtë rrezikut për jetën. Megjithatë ai vazhdon të jetë i shtruar në reanimacion. Sipas stafit mjekësor të Partizanit, gjatë ditës së diel lojtari ka pasur një gjendje më të stabilizuar, por për shkak të politraumës problemin kryesor e ka me frymëmarrjen.
Ai është koshient, por mbetet nën mbikëqyrje të rreptë të stafit mjekësor, për të parandaluar çdo komplikacion të mundshëm që mund të vijë nga dëmtimet në mushkëri, shkruan gazeta Panorama. Lojtarit i kanë shpëtuar jetën disa tenda të pallatit dhe në fund pemët, të cilat kanë shërbyer si pengesa dhe që kanë zbutur rënien, duke shmangur pasojat fatale që vijnë nga përplasja në bazament. Pas ekzaminimeve të para ka dalë që 24-vjeçari ka thyer disa brinjë dhe kockën e legenit, pa probleme për jetën, por nga shembja dëmtimet më të shuma i ka në mushkërinë e majtë.
Duke parë gjendjen do të vlerësohet se çfarë hapash do të ndiqen në vijim për përmirësimin e shëndetit të portierit të Partizanit. Familjarët janë ata që po i rrinë pranë 24-vjeçarit, i cili gjatë gjithë kohës vizitohet edhe nga persona të ndryshëm, kryesisht të fushës së sportit.
Mjeku i Partizanit, Dhimosten Gjini, i pyetur nga “Panorama Sport”, ka treguar dëmtimet që ka pësuar dhe gjendjen më të fundit shëndetësore të Aldo Teqjes.
“Gjendja është me parametër të stabilizuar, gjaku, hendondinamika në përgjithësi. Është koshient, reagon në kohë dhe hapësirë. Lojtari ka dëmtim të mushkërive, më shumë në anën e majtë, ka pësuar thyerje të disa brinjëve dhe kockës së legenit. Thyerjet e pësuara nuk janë problem jetësor. Problem jetësor mbeten vetëm mushkëritë. Nga ekzaminimet e kryera dhe skaneri ka rezultuar se në 24- orëshin e parë nuk ka probleme me shtyllën kurrizore”, është shprehur mjeku.