U la jashtë megaoperacionit të SPAK? Policia e Shtetit hedh poshtë pretendimet: Ja sa efektivë u angazhuan në terren

AKTUALITET


TIRANË- Kreu i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, ka hedhur pishtë aludimet se institucioni që ai drejton nuk ishte përfshirë në megaoperacionin e SPAK, i cili lëshoi 50 urdhër-arreste dhe sekuestroi miliona euro pasuri.

Përmes një reagimi publik, Rrumbullaku thekson se në këtë aksion kombëtar janë përfshirë mbi 200 efektivë, nga disa drejtori vendore të Policisë dhe rreth 80% e Forcave RENA.


Reagimi i drejtorit të Policisë:

Në lidhje me një lajm të publikuar në disa portale, se Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale është përjashtuar nga pjesëmarrja në operacionin e koduar “Revanshi”, për ekzekutimin e 50 masave të sigurisë të caktuara nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, sqarojmë se:

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, në kuadër të këtij operacioni, hartoi planin operacional për ekzekutimin e masave të sigurisë.

Për zbatimin e këtij plani operacional u angazhuan 50 oficerë të Policisë Gjyqësore, Departamenti i Policisë Kriminale, Drejtoria për Hetimin e Krimit të Ogranizuar, personeli policor i Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale, të gjithë efektivët e Forcës Kombëtare të Sigurisë, 80 % e efektivëve të RENEA-s, 100 punonjës të DVP Tiranë, 50 punonjës të DVP Durrës, 50 punonjës të DVP Lezhë, 50 punonjës të DVP Vlorë dhe 20 punonjës të DVP Shkodër.

-Gjatë operacionit, u kapën nga shërbimet e Policisë që morën pjesë në operacion dhe u arrestuan, 8 shtetas.

-6 shtetas, të cilët u shpallën në kërkim në kuadër të operacionit, u kapën dhe u arrestuan jashtë shtetit, gjatë zhvillimit të operacionit, në bashkëpunim me partnerët italianë, spanjollë, belgë dhe gjermanë.

-Për 6 shtetas të tjerë u ekzekutuan vendimet e Gjykatës dhe ata u njohën me akuzat, në IEVP-të përkatëse.

-Gjatë verifikimeve në sistemin TIMS, rezultoi se 13 shtetas ndodheshin jashtë shtetit dhe ishin larguar para zhvillimit të operacionit, si dhe 6 shtetas që ishin të shpallur në kërkim para operacionit, sipas vendimit të gjykatës, për vepra të tjera penale të kryera më parë.

-Ndërsa 11 shtetas, mes tyre dhe 2 dy punonjës policie, të cilët iu shmangën organeve të drejtësisë, nuk u bë e mundur që të kapeshin gjatë operacionit.

Theksojmë faktin se asnjë strukturë e Policisë së Shtetit në nivel qendror apo vendor nuk është përjashtuar nga pjesëmarrja në operacionin “Revanshi” dhe deri tani nuk ka asnjë indicie për dekonspirim të operacionit.

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka bashkëpunim shumë të mirë, të bazuar në ligj dhe në besueshmëri të plotë me SPAK-un, me GJKKO-në dhe me prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm.

Bazuar në rezultatet e punës, të arritura gjatë vitit 2023 dhe gjatë 5-mujorit të parë të vitit 2024, rezultate të cilat janë të pakrahasueshme me periudha të mëparshme, tregojnë qartë angazhimin maksimal dhe vendosmërinë e Policisë së Shtetit, në luftën ndaj krimit të organizuar dhe krimit në përgjithësi.

Gjithashtu, Policia e Shtetit është e vendosur për ta thelluar më tej procesin e vetëpastrimit, duke bashkëpunuar ngushtësisht me agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit, me qytetarët dhe me mediat.




Skip to toolbar