Muaji gusht do të dhurojë një duel shumë interesant dhe të rrallë për futbollin shqiptar. Një grup futbollistësh kuqezi, do të vihen përballë talenteve të Real Madrid në një turne veror.
Konfirmimi vjen pikërisht nga gjigandët madrilenë, të cilët i japin shumë rëndësi talenteve të së ardhmes së tyre. Real Madrid ka bërë të ditur se nga data 8 gusht, deri më 11 gusht, do të zhvillohet në Zagreb një turne për ekipet U19. Reali do të përfaqësohet atje me skuadrën Juvenil A të drejtuar nga Dani Pojatos, ndërsa do të luajë tre ndeshje në Kroaci. E para, pikërisht më 8 gusht në orën 16:30, do të luhet kundër përfaqësueses shqiptare U19 e cila është gjithashtu pjesëmarrëse në këtë aktivitet shumë interesant.
Dy skuadrat e tjera më të cilat do të ndeshet përfaqësuesja e drejtuar nga Nevil Dede do të jenë Dinamo Zagreb (9 gusht) dhe Olimpija Ljubljana (10 gusht). Kjo është një mundësi e mirë e talenteve shqiptare për të matur veten me përfaqësuesit e akademisë së një prej klubeve më të njohura në botë, e pse jo, të mundohen të tërheqin vëmendjen e përfaqësuesve të klubit madrilen.