Ujësjellësi i ri Belshit, Balluku: Do jetë autoprodhues për energjinë

AKTUALITET


Në Bashkinë Belsh kanë nisur punimet për ndërtimin e ujësjellësit të ri, një investim i qeverisë shqiptare, i ndarë në tre faza dhe që do të garantojë furnizim të pandërprerë me ujë të pijshëm për afro 33 mijë banorë.  Për herë të parë, në këtë ujësjellës do të pilotohet funksionimi i tij përmes autoprodhimit të energjisë elektrike duke reduktuar në këtë mënyrë kostot.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku inspektoi punimet për ndërtimin e ujësjellësit ku tha se qeveria ka investuar dhe do të vijojë të investojë në këtë zonë, për të përmirësuar infrastrukturën me qëllim nxitjen akoma dhe më shumë të zhvillimit të turizmit.


“Fakti që ne do arrijmë  brenda vitit 2021 të shërbejmë 33 mijë banorë, ose rreth 2900 abonentë  ujë të pijshëm 24 orë, është një arritje shumë e madhe, pasi kështu mbulojmë një nga zonat më interesante turistike, por nga ana tjetër plotësojmë dhe një nga pesë kolonat e strategjisë që qeveria ka, që është ajo e ujit, pra për t’i ofruar çdo qytetari për frymë rreth 150 litra në ditë’ u shpreh Balluku.

Ministrja shtoi se ujësjellësi i Belshit do të jetë i pari ku një institucion shtetërore do të jetë edhe autoprodhues duke hedhur kështu një hap të rëndësishëm drejt efiçencës së energjisë.

“Ky ujësjellës do të kthehet në një ndërmarrje fitimprurëse. Është e ditur tashmë që ujësjellësat kanë pasur problematika kryesisht për sa i përket furnizimit me energji dhe në këtë rast këtu do të pilotojmë edhe energjinë e prodhuar nga dielli. Kjo është shumë e rëndësishme pasi do jetë projekti i parë kur vetë një njësi shtetërore administrative, do të jetë autoprodhues. Efiçenca e energjisë është primare  dhe ne po mundohemi sot ta shtrimë në të gjitha godinat shtetërore. Kemi nisur me Ministrinë e Infrastrukturës dhe në godina të tjera ku përmes paneleve prodhojmë energjinë që konsumojmë gjatë ditës”, nënvizoi Balluku.




Skip to toolbar