Sulmet dhe komentet negative për Mini-shengenin janë trajtuar nga kryeministri Rama në video-mesazhin e tij për fundvitin. Rama tha se është lënduar nga komentet negative të shumë shqiptarëve të Kosovës duke e cilësuar si tradhtar, por ai shtoi se nuk do të këmbëngulte në këtë ide nëse nuk do të ishte në të mirë të Kosovës dhe Shqipërisë.
Kryeministri Rama tha se Shengeni Ballkanik nuk synon krijimin e një Jugosllavi të re, siç është interpretuar nga politika në Kosovë dhe as nuk është një formë për të rritur ndikimin ekonomik të Serbisë në rajon dhe mbi të gjitha nuk është as një program për të harruar krimet serbe. Rama nuk kursen kritikat për politikanët në Kosovë, duke thënë se duke dashur të luajnë atdhetarin e zjarrtë, po sulmojnë atë dhe idenë e mini-shengenit, duke i vënë popullin e Kosovës kundër.
“Dua të flas për Shengenin Rajonal, si një nga prioritetet tona dhe nuk e fsheh dot që më kanë lënduar shumë miq kosovarë, ndjekës të kësaj faqeje, as nuk mundem dot të rri pa ju thënë si fillim, se unë, për asnjë çmim, në asnjë rast dhe për asgjë në këtë botë, nuk e tradhtoj popullin tim, vendin tim, njerëzit e mi. Dhe kur unë them popullin tim, nuk kam parasysh vetëm popullin e Shqipërisë po edhe të Kosovës; kur them vendin tim, nuk kam parasysh vetëm Shqipërinë po edhe Kosovën; kur them njerëzit e mi, nuk kam parasysh vetëm shqiptarët në Shqipëri, po edhe shqiptarët në Kosovë.
Unë tradhtar, o motra e vëllezër nga Kosova? Po si, kur, pse dhe për cilën arsye tjetër në botë përveç arsyes së mosarsyes të atyre që nuk duan të dëgjojnë, nuk duan të lexojnë, nuk duan të kuptojnë të vërtetat e thjeshta të një procesi publik, transparent, politik e ndërkombëtar, të nisur këtu e pesë vjet më parë! Me sa duket të tjerët kanë një zotësi që unë nuk e kam dhe dinë ta luajnë me sukses publik, rolin për mua të neveritshëm të mëmëdhetarit të flaktë, të patriotit të përvëluar, të shqiptarit që digjet për flamur e vret për atdhe, thjesht sapo flitet për shkjaun” tha Rama.
Rama tha se ky projekt që mbështetet nga SHBA dhe BE nuk dëmton as Shqipërinë dhe as Kosovën, ndërsa nuk ka aspak gjasa që të krijojë një Jugosllavi të re, apo të harrojë luftën dhe masakrat serbe. Rama u shpreh se ai arriti të bind Serbinë të pranojë Kosovën pa kushte në tavolinë, ndërsa Kosova po vetëpërjashtohet. Kryeministri Rama shtoi se nëse një cenim sado i vogël do i bëhej Kosovës, Shqipëria nuk do të ulej më në atë tryezë.
“Shengeni Rajonal nuk është një Jugosllavi e re, siç thonë ata që nuk bëjnë dot as një qeveri me dy parti, në Kosovën që e duan aq shumë. Sepse mesa duket kur vjen puna tek bashkimi i forcave për ta qeverisur Kosovën, ndarja e karrigeve ka më shumë rëndësi se Kosova e mbetur në udhëkryq, pa strategji e pa qeveri. Po shyqyr që janë të bashkuar bukur mirë madje, pa dallim partie e madje edhe me do ustallarë në Tiranë, për ta hedhur Kosovën kundër “vëllaut të Vuçiçit” në Shqipëri, duke i’a prishur gjakun dhe errur sytë njerëzve në Kosovë, me dokrra patetike e me rrena patriotike. Shengeni Rajonal nuk është as një plan serb për të pushtuar ekonomikisht rajonin, siç thonë disa që Kosovën e kanë fushë për lojën e tyre politike, teksa Kosovës po ia marrin fytyrën e po ia tresin respektin në sytë e miqve të paçmueshëm amerikanë dhe europianë, pa të cilët shteti i Kosovës nuk do të kishte lindur dot kurrë. Çfarë mund të jetë më e dhimbshme, se sa t’i dëgjosh ata miq pazëvendësueshëm, të thonë se sot politikanët në Kosovë, dinë çka duan për vete, po nuk dinë çfarë duan për Kosovën!
“Ne, Shqipëria, kemi arritur ta bindim Serbinë, po po, unë kam arritur ta bind Presidentin e Serbisë, që as të mos e kushtëzojë tryezën me asgjë që na ndan ne me Serbinë për Kosovën dhe që e ndan Kosovën me Serbinë, as të mos pretendojë që Shqipëria dhe Kosova, të mos e bëjnë marrëveshjen e lëvizjes së lirë të njerëzve e të mallrave në kufi, në rast se Kosova nuk pranon të bëjë të njëjtën gjë me Serbinë në të njëjtën kohë. Ditën që Serbia nuk do t’i qëndronte kësaj pike themelore, s’do kishte më tryezë ku Shqipëria të merrte pjesë për këtë proces.” tha Rama
Sa i përket ligjit anti-shpifje që kaloi në seancën e fundit në parlament, Rama tha se i ka mbështetur si ligje që i japin mundësi viktimave të shpifjes të mbrohen dhe jo për të qenë armik i fjalës së lirë.
“Unë nuk jam armik i fjalës së lirë por armik i betuar i vulgaritetit e injorancës. Meqë jemi këtu as nuk kam menduar, as nuk kam kërkuar dhe as nuk kam mbështetur ndonjë ligj që kufizon lirinë e shprehjes por një ligj që i jep mundësinë viktimave të shpifjes të mbrohen. As një gjemb në këmbë nuk i fut botuesve e gazetarëve por i kujton se liria e tyre nuk është armë për të cenuar dinjitetin njerëzor.
Shumëkujt i dukem arrogant se besoj tek bindjet e mia, mbase kokëfortësia për t’i shkuar bindjeve të mia, mbase dhe jam por nuk i shmangem përgjegjësive”, theksoi Rama.