“Tërmeti do të bjerë ndaj KÇK”, Rama: 2020 do të jetë viti i investimeve të mëdha

#NËRADAR


Kryeministri Edi Rama mbajti një mesazh për fundvit drejtuar shqiptarëve. Pasi foli për rindërtimin nga tërmeti, Rama u fokusua gjatë te prioritetet e qeverisë për vitin 2020. Kreu i ekzekutivit ushpreh se gjatë vitit të ardhshëm “do të bjerë tërmet mbi botën e krimit”. “Viti 2020 duhet të shënohet si viti kundër forcës së krimit. Me të nisur Viti i ri tërmeti i shtetit do të bjerë fuqishëm mbi të fortët, që i bëjnë karshillëk komunitetit dhe këtij vendi, që nuk meriton njollën e pisllëkut. Kush është akuzuar nga Prokuroria dhe i ka shpëtuar drejtësisë, duhet të provojë pastërtinë e burimit të pasurisë. Kush i ka shpëtuar drejtësisë me anë të KÇK, do të përgjigjet”, tha Rama.

Më tej, Kryeministri Edi Rama foli gjatë edhe për prioritetet e qeverisë për vitin 2020. Ai përmendi disa investime strategjike, duke filluar nga nisja e kërkimeve për naftë në Dumre dhe Shpirag. Për këto, Rama tha se “kontrat do të jenë me interes për shtetin shqiptar”. Një tjetër premtim i kryeministrit ishin investimet në infrastrukturën universitare që përfshihen në “Paktin për Universitetin”. “Pakti për universitetin është për ne një prioritet, pa asnjë lidhje me strukturat akademike”, tha Kryeministri. Gjithashtu, Rama u ndal te investimet e huaja, që ai i quajti “serioze”.


Sipas Kryeministrit në “vitin 2020 duhet të shënohet si viti i nisjes së investimeve të huaja serioze në vijën bregdetare dhe i investimeve vendase të cilësisë së parë, duke krijuar kapacitete pritëse për turizmin e shtrenjtë; që sjell më shumë të ardhura dhe krijon më shumë vende të reja pune të paguara më mirë”. Sipas tij, të gjitha këto do të shërbejnë për “rilindjen ekonomike dhe sociale të vendit”, që la pas fundviti i 2019. “Nuk duhet ta humbim këtë momentum të ri për të kapitalizuar rilindjen ekonomike e sociale që ka prodhuar ky fundvit dramatik, nuk kemi kohë për të humbur, duhet të shtyjmë me forcë përpara dhe të bëjmë pa humbur kohë çdo punë që nuk dihet lënë më për nesër”, tha Rama.

Një tjetër premtim i kreut të qeverisë, ishte ai për dhënien e dokumenteve online duke shmangur sportelet. Rama tha se “brenda vitit 2020, duhet të marrë fund historia e aplikimeve me dosjen sa një mal, që sot e tridhjetë vjet i kërkohet qytetarit për një shërbim, duke e detyruar të bredhë në dhjetëra zyra për të siguruar dokumentet e nevojshme për një aplikim”, tha Kryeministri. Ndërkohë, ai bëri një premtim tjetër të rëndësishëm, duke u zotuar se do të zgjidhen problemet me pronën për dhjetëra familje.

“Viti 2020 duhet të shënohet si viti i zgjidhjes përfundimtare të problemit të pronës për dhjetëra mijëra familje në fshat nga veriu në jug që janë kthyer në kufijtë e vjetër pa asnjë konflikt me fqinjët rreth tyre. Kanë 30 vjet që presin në  tokën e stërgjyshërve dhe as e shesin dot, as aplikojnë dot për financime nga shteti, ose nga institucionet financiare për zhvillimin rural, sepse nuk e gëzojnë dot ligjërisht, pasi e kanë të pamundur ta regjistrojnë”, tha Rama.

Gëzuar Vitin e Ri 2020!Ardhtë i lehtë, me shëndet e mbarësi në familjet tuaja🙏Zoti e bekoftë Shqipërinë!🇦🇱

Gepostet von Edi Rama am Montag, 30. Dezember 2019



Skip to toolbar