Ndonëse kryefjala që prej muajit mars ka qenë Covid-19 dhe Instituti i Shëndetit Publik është përmendur për kapacitetet e testimit të koronavirusit, misioni tjetër, ai i vaksinimit për të përballuar gripin e stinës është po aq i rëndësishëm. Gjatë një inspektimi në këtë institut ministrja e shëndetësisë ka njoftuar pajisjen me një zinxhir frigoriferik për ruajtjen e vaksinave.
“Deri tani sipas përllogaritjeve për mbulesën vaksinale të shtuar, kemi bërë porosinë e serisë së parë të vaksinave dhe ndërkohë që vijojmë të sigurojmë akoma më shumë vaksina për sa i përket situatës që do të përballemi gjatë muajve tetor-dhjetor e në vijim”, tha Manastirliu.
Nga ana tjetër, shefja e Departamentit të Sëmundjeve Infektive, Silva Bino tha se gjatë kësaj kohe është bërë vlerësimi i kategorive të riskut të cilët duhet të vaksinohen ndaj gripit që pritet të qarkullojë në stinën vjeshtë dimër.
“Po përgatitemi për të vijuar përballjen me epideminë e Covid, që sipas strategjisë dhe planit të veprimit aktiv që ne kemi aktualisht, jemi duke forcuar kapacitetet e testimit, gjurmimit, hetimit epidemiologjik, kapaciteteve të spitaleve. Ndërkohë që ne përgatitemi dhe vijojmë të fuqizojmë kapacitetet tona për sa i përket situatës së Covid-19, vijojmë të rrisim edhe kapacitetet tona për sa i përket edhe programeve për vaksinimin e sigurt, siç është programi i vaksinimit ndaj gripit për grupet e rriskuara dhe rritjen e mbulesës vaksinale”, tha ministrja.
“Ne kemi bërë vlerësimin dhe rivlerësimin e kategorive të riskut, të cilat janë të rëndësishme për vaksinimin ndaj gripit dhe njëkohësisht janë subjekte të cilat janë dhe më të prekshme nga Covid-19. Për shembull, personat me sëmundje kronike, natyrisht punonjësit shëndetësorë, mësuesit dhe të gjithë kujdestarët të cilët kujdesen për fëmijët si dhe fëmijët nga 2 deri në 5 vjeç, sepse ata transmetojnë më shumë gripin. Shpresojmë të kemi një situatë më të mirë të kontrollit të gripit, gjë e cila do të na ndihmojnë edhe për Covid-19”, tha Bino.
Ministrja Manastirliu theksoi se po punohet edhe për rritjen e kapaciteteve sa i përket programit të vaksinimit, pasi mendohet se numri i personave që do të ketë nevojë për vaksinim do të jetë edhe më i madh.