Kukësi ndodhet në një moment delikat të sezonit, pasi lufton në dy drejtime, për të mbajtur vendin e dytë në kampionat dhe për të fituar Kupën e Shqipërisë.
Mungesat kanë qenë një problem shqetësuses për ekipin verilindor, aq sa sot skuadrës të drejtuar nga Ernest Gjoka, do t’i mungojnë disa lojtarë të rëndësishëm, mes tyre dhe sulmuesi Valdet Rama.
Ky i fundit ka dëmtuar meniskun, çka më herët bëri të flitej për një operacion. Nëse gjërat shkonin kështu, Valdet Rama mbyllte sezonin para kohe me skuadrën e Kukësit.
Mirëpo për fatin e mirë të tij dhe ekipit, futbollisti ka gjetur një zgjidhje në kohë rekord.
Është fizioterapisti i njohur sportiv, Ervin Kapaj, ai që ka marrë përsipër të rikthejë në fushë Valdet Ramën, duke nisur prej javës së ardhshme.
“Nuk operohet Valdet Rama, gati për javën e ardhshme”, ka shkruar ditën e sotme fizioterapisti i njohur duke publikuar një foto në rrjetet sociale.
Sulmuesi pritet të jetë gati për trajnerin Gjoka për ndeshjen e ardhshme ndaj Luftëtarit më 11 maj.