Valixhet plot me drogë! Arrestohet ish-sulmuesi i Arsenalit

AKTUALITET


Ish-sulmuesi i Arsenalit, Jay Emmanuel-Thomas, dikur i përshkruar nga Arsene Wenger si një lojtar me cilësi të jashtëzakonshme, është akuzuar për trafikimin e lëndëve narkotike, pasi në aeroportin e Stansted iu sekuestrua kanabis me vlerë 600 mijë paund.

33-vjeçari, i cili luan për Greenock Morton, u arrestua të mërkurën në mëngjes teksa zbriti në Britani nga Tajlanda, pasi në valixhet e tij u gjet kanabisi. Sipas Agjencisë Kombëtare të Krimeve, u sekuestruan rreth 60 kilogramë drogë në dy valixhe.

Përveç lojtarit u arrestuan edhe dy gra, të moshave 28 dhe 32 vjeç, të cilat gjithashtu u akuzuan për trafikim lëndësh narkotike. Por ndërsa ato u liruan me garanci, për Emmanuel-Thomas gjykatësi refuzoi.

Emmanuel-Thomas u bashkua me akademinë e Arsenalit kur ishte vetëm 8 vjeç, por nuk arriti të fitonte një vend të rregullt në skuadrën e parë. Në vitin 2010 debutoi në Premier League në një humbje 2-0 kundër Chelsea-t, ndërsa një vit më pas u shit për 1,1 milionë paund të Ipswich.

Pasi luajti për ca vite te Bristol, QPR dhe Gillingham, u transferua në Tajlandë, ku luajti për PTT Rayong FC. Por vitet e fundit ishte rikthyer në Mbretërinë e Bashkuar, duke luajtur për Livingston, Aberdeen dhe Kidderminster.



Skip to toolbar