Manchester City është ndalur në barazim 2-2 nga Tottenham në javën e dytë të Permier League. Skuadra e Pep Guardiolës, ndonëse kaloi dy herë në avantazh, arriti të përmbysej nga ekipi i Mauricio Pochetinos. Ishte Sterling që realizoi në minutën e 20` golin e avantazhit për Cityn. Një asist spektakolar nga De Bruyne, që gjuajti me të djathtën nga krahu tjetër i fushës, gjeti kokën e Sterling që realizoi në portën e Lloris.
Por tre minuta më vonë, ishte skuadra e Tottenham që gjeti rrjetën dhe vendosi barazpeshën në fushë. Lamela nga jashtë zone me të majtën mposhti portierin e Cityt, duke kthyer gjithçka në kushte të barabarta.
Megjithatë, skuadra e Guardiolas do të rigjente përsëri avantazhin. Ashtu si në golin e parë, Kevin de Bruyne asiston përsëri në zonë, aty ku Aguero mjafton duke shtyrë topin në portën e Lloris.
Me këtë rezultat mbyllet pjesa e parë, ndërsa në të dytën Lucas shënon me kokë për Tottenham pas një gjuajtje të Lamelas nga goditja e këndit. Cityt i anulohet dhe një gol i shënuar nga Sterling, pasi ndërhyri VAR. Për skuadrën e Guardiolës dukej si i njëjti skenar, kur Tottenham e eliminoi disa muaj më parë nga Champions League. Ndërkohë, trajneri i Cityt, Pep Guardiola ka zhvilluar një debat me Sergio Aguero në minutën e 66` të takimit, kur trajneri e nxori argjentinasin nga loja.